Testi i pasurisë ngel 2/3 e ministrave, Bozdo: ILDKPKI duhet shkrirë! Ja çfarë më shqetëson nga darka te “Nusreti”

BIRN ka bërë publike një investigim sipas të cilit rezulton se 2/3 e kabinetit të kryeministrit Ram nuk justifikojnë dot pasurinë dhe pasuria e tyre është trefishuar gjatë kohës që kanë qenë në detyrë.

Truku më i rëndomtë ka qenë shitblerja e makinave, të cilat i blejnë me një x çmim dhe i shesin 2-3 fishin e saj pas një kohe të shkurtër përdorimi.

Ish-zëvendësministri, Eno Bozdo, thotë se në botën demokratike kjo do të kishte mjaftuar për dorëheqje, por ai ndalet te vendet fqinje duke referuar se çfarë do të kishte ndodhur atje në një situatë të ngjashme.

Bozdo: Nëse kjo do të kishte ndodhur në Kosovë apo Maqedoni, minimalisht një debat publik do të kishte ndodhur për këtë gjë dhe ministrat do të ishin vënë në dispozicion të hetimit.

Institucioni kyç që merret me verifikimin e pasurisë së funksionarëve publikë, ILDKPKI, duket se është në “gjumë”.

Bozdo për Rtv Ora thotë se ai duhet shkrirë dhe bërë nga e para.

Bozdo: Ky institucion duhet shkrirë dhe bërë nga e para. Nëse kemi një institucion dhe presim nga media të ngrejë flamurin e kuq për ministra e deputetë, jemi në mëshirë të fatit. Simptoma e madhe e kësaj qeverie përveç mungesës së transparencës, ka qenë kapja e çdo lloj institucioni që mund të ngrinte jo një por disa flamuj të kuq.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se 18 nga 27 anëtarët e kabinetit të kryeministrit Edi Rama nga viti 2013 deri në vitin 2018, kanë probleme me justifikimin e pasurisë në të paktën një vit të karrierës së tyre si shërbyes publikë.

Darka te “Nusreti”

“Darka e kripur” te Nusreti, restorantin luksoz më të shtrejtin në Dubai e ministrave të kabinetit Rama ka qenë kryefjalë e mediave përgjatë ditëve të fundit.

Por Eno Bozdo, anëtar i Kryesisë së PD dhe ish-zëvendësministër i Ekonomisë, thotë për Rtv Ora se më shumë sesa darka në vetëvete e shqetëson fakti se ndërsa vendi mbytet në ujë, Ministrja e Energjisë është në Dubai.

Bozdo: Nuk më shqetëson darka në vetëvete, por dy komponentë të kësaj darke. Së pari, shoh gjysmën e qeverisë time që nuk është në Tiranë, veçanërisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vendi përballet me përmbytjet dhe ajo duhet të jetë në krye të detyrës.

E ndërsa zyrtarisht thuhet se po negociohej me palën arabe për ndërtimin e portit turistik në Durrës, pjesë e delegacionit ishte dhe nënkryetari i Bashkisë Mazniku dhe bashkëshortja e këshilltarit për mediat i Kryeministrit.

Bozdo: Aty bëhej fjalë për të vulosur një marrëveshje për dhënien me koncesion, në përdorim, në privatizim, një formë ende e panjohur, e portit të Durrësit. Porti i Durrësit nuk është vetëm i Durrësit, është porti kryesor i Shqipërisë, arteria jonë kryesore portuale. Është një pasuri publike e cila mesa duket është vendosur të këmbehet me kush e di çfarë, jo vetëm me një darkë.

Porti i Durrësit pritet të zhvendoset në Porto Romano, ndërsa në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, hotele luksoze dhe qendra tregtare.

Por Bozdo thotë se askush nuk di asgjë për atë projekt përveç 3-4 personave që e kanë negociuar si ta kishin pronën e vet.

Bozdo: Askush nuk është në dijeni të asnjë projekti me përjashtim të 3-4 vetëve që e kanë vendosur, e kanë negociuar me palën arabe, nëse ka gjithmonë një negociataë të tillë por qeveria pretendon se ka një negociatë të tillë  dhe e kanë vendosur sikur të bëhej fjalë për pronën e tyre. Sikur porti i Durrësit të ishte pronë e Edi Ramës, një sjellje të tillë do ta pranoja.

E ndërsa ka zëra se porti i Durrësit u dha si dhuratë për 2000 apartamentet që pritet të ndërtohen në këtë qytet, Bozdo shoprehet.

Bozdo: Nëse kjo është e vërtetë do të kishim të bënim me një skandal të madh. Falja e portit kundrejt 2000 apartamenteve është si të falësh oqeanin për një pikë ujë të kripur. Refuzoj ta besoj përsa kohë gjërat nuk janë bërë publike. Por di me siguri se porti i Durrësit dhe sipërfaqja e tij është pronë publike dhe si e tillë duhet tu bindet ligjeve.

Bozdo nënvizoi se 25 prilli është dita përfundimtare e kësaj qeverie dhe se në 26 prill fillon numërimi mbrapsht për larjen e llogarive.

SHKARKO APP