”Tetori i librit”, Begaj takim me shkrimtarë dhe botues: Të përpiqemi të afrojmë librin tek lexuesi
“Krahas përpjekjeve për të çuar lexuesin te libri, le të përpiqemi të afrojmë librin te lexuesi”, është mesazhi i Presidentit Begaj sot në një takim me njerëz të letrave dhe botues gjatë një vizite në librarinë e re “Babel”. “Pelegrinazh libri në të gjithë Shqipërinë përmes nismash konkrete dhe krijuese nga shkollat dhe bashkëpunim më i ngushtë me institucionet shtetërore, nisma që kanë për qëllim të rritin aksesin e lexuesve në zonat rurale, duke shmangur sa më shumë ato që unë do t’i quaja “bunkerë burokratikë”, ishin disa nga mesazhet që Presidenti Begaj, përcolli gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar në librarinë “Babel” në Tiranë me rastin e “Tetorit të librit”.
Presidenti propozoi nisma konkrete për çuarjen përpara të projekteve të leximit, si dhe kërkoi të mos mbeten vetëm në nivelin e një panairi të përvitshëm në Tiranë, por, në bashkëpunim me institucionet vendore, të zgjerojnë gjeografinë e këtyre festivaleve të librit. Ai u shpreh se shkrimtarët dhe botuesit duhet të bashkëpunojnë me institucione të tilla, si Ministria e Arsimit, Drejtoritë Arsimore, shkollat dhe drejtuesit e bashkive, në mënyrë që libri të shkojë tek të gjitha zonat, veçanërisht në ato zona që nuk kanë akses me librin.
Kreu i shtetit tha se shqiptarët e duan librin, e duan leximin, ndaj gjithsecili që ka një pozitë të caktuar dhe mundësi duhet të ndërmarrë nisma për t’ua ofruar librin sidomos fëmijëve dhe brezit të ri. ‘‘Nëpërmjet këtyre nismave, të rinjtë do të kenë mundësi që përveç atij modeli që po ofrohet sot rëndom nëpër ekrane, ku promovohet jeta e lehtë, jeta pa vështirësi dhe arritja pa asnjë lloj mundimi, të kenë dhe një model alternativ ku të nxitet mendimi, reflektimi dhe analiza”.
Në brezin e ri mungon modeli i arritjes përmes dijes dhe mundit, u shpreh Presidenti Begaj, ndërsa dëgjoi shqetësimet e të pranishmëve për procedurat burokratike që pengojnë promovimin e librit dhe dijes. Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë dhe problematikat ekonomiko-financiare në lidhje me TVSH-në e librit, si dhe politika të tjera të lidhura me botimin, gjithnjë duke ruajtur si përparësi ndërmarrjen e nismave për hapjen e librit, shpërndarjen e dijes në të gjithë vendin.
Presidenti Begaj ndau me shkrimtarët dhe botuesit shqetësimet e ngritura gjatë vizitave të tij nëpër bashkitë e vendit për mungesën e bibliotekave dhe sugjerimet për përdorimin e një pjese të fondit të shkollave apo lehtësira të tjera fiskale nga pushteti vendor për librat. “Kam shkuar në bashki të ndryshme në Shqipëri dhe kam kërkuar ku është biblioteka. Iu kam thënë se nëse nuk keni bibliotekë, sepse e keni shkatërruar, e keni bërë bilardo apo diçka tjetër, jepini mundësi dikujt që e dashuron librin të bëjë një kafe-librari, t’ia hiqni taksat vendore. Kam shkuar në shkolla dhe iu kam kërkuar drejtuesve të shkollave të pasurojnë bibliotekat me tituj të rinj”.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi mënyrat e reja që synojnë qasjen e rinisë nëpërmjet teknologjive të reja përmes shpërndarjes së librit audio dhe video, si një nga mënyrat që u përshtatet të rinjve. Begaj theksoi se muaji ”Tetor na sjell në kujtesë se është muaji që ne nderojmë autorë të spikatur të letrave shqipe, si Gjergj Fishta, Migjeni, Dritëro Agolli dhe Pano Taçi, të cilët kanë ditëlindjen këtë muaj”.