Thaçi pas takimit me Bashën: Koordinim mes Uashingtonit dhe Brukselit për dialogun
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur kundër bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se bisedimet në një format të tillë janë zhvilluar për 9 vitet e kaluara.
Ai ka thënë se procesi i negociatave duhet të përmbyllet me njohje të dyanshme mes Kosovës dhe Serbisë, sa më shpejt që është e mundur, por jo në aspektin teknik.
Për këtë, ai ka kërkuar unitet brenda Kosovës si dhe midis Uashingtonit dhe Brukselit.
“Është me rëndësi jetike të kemi koordinim, e para mes spektrit politik të Kosovës, një konsensus sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë që të jetë angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, institucioneve. Edhe faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar. Një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj i pranueshëm për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi gjatë një adresimi para mediave, pas takimit në Prishtinë me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulëzim Basha i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Ndërkohë, Basha tha se ia ka ofruar mbështetjen e tij presidentit Thaçi sa i përket dialogut me Serbinë.
“ Ne folëm për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri. Për hapat që po hidhen për dialogun me Kosovën. Shprehja mbështetjen time për qëndrimin e presidentit Thaçi për dialogun. Është pikëpamja ime dhe e PD se bashkërendimi hde bashkëpunimi i politikës kosovare, e forcon përballjen me sfidat. Bashkërendim i ngushtë mes SHBA dhe BE ngelet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me iniciativat. Sa i përket dialogut, një bashkërendim i tillë do ta mundësojë atë. Shpreha mbështetje për ata që kanë sakrifikuar në këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe se u duhet të sakrifikojnë në plan personal, siç është dhe presidentin Thaçi dhe për bashkëpunëtorët e tij” pohoi Basha.
Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Dy temat kryesore në këtë takim ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik.
Pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.