Thellohet skandali. Agim Kajmaku ”shpëton” nga burgu

Qëndroi në arrati 7 muaj dhe u arrestua mbrëmjen e së hënës, por Agim Kajmaku nuk do të shkojë në burg. Një situatë e pazakontë dhe gati në skandal është vendimi që dha Gjykata e Apelit, pasi ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-kreun e Bashkisë së Vorës nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.

Ka qenë prokurorja e çështjes, ish-kryeprokurorja e përkohshme e votuar nga PS-ja, Arta Marku, ajo e cila ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë, duke argumentuar qëndrimin e saj për shkak të ndryshimit të rrethanave të ngjarjes. Nga hetimet është vërtetuar se ka 15 vite që Kajmaku vuan nga diabeti.

Ai u paraqit në spital i shoqëruar nga avokati i tij Isuf Shehu, për shkak të problemeve shëndetësore por stafi lajmëroi policinë. Ekzekutimi i urdhër arrestit u bë në spital, ku ndodhet i shtruar Kajmaku dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Kajmaku ruhet nga forcat e policisë. Ai akuzohet për 3 vepra penale “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Ish-kryebashkiaku i Vorës  u shpall në kërkim në kërkim nga policia në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi u denoncua nga PD se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letër-porosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri. Pikërisht fshehja e këtij fakti çoi në shkarkimin e tij dhe nisjen e hetimeve. Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëherë Kajmaku nuk u duk më, duke i shpëtuar për muaj me radhë uniformave blu. Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë së Vorës ne zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar, ndërsa që prej nëntorit të 2019 ishte në arrati.

SHKARKO APP