Thirrja e ambasadorit Soreca nga Elbasani: Zgjedhjet të jenë të lira, dëgjuam shqetësime për blerje votash
Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë, ndaj edhe trupat diplomatike në vend po bëjnë lëvizjet e fundit që procesi të jetë i qetë, demokratik dhe pa konflikte.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Luigi Soreca i shoqëruar nga ambasadorja e Francës, Elisabet Barsak dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf, zbarkuan këtë të hënë në Elbasan ku patën takime me drejtuesit politik të partive kryesore kandiduese në zgjedhjet e 25 prillit.
Soreca pas takimeve, në një prononcim për mediat, ka bërë të ditur se ka vizituar Elbasanin dhe qytetet të tjera për të përcjellë mesazhe për ditën e zgjedhjeve. Po ashtu Soreca u shpreh se zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente.
Soreca: Ne kemi vendosur që të vizitojmë Elbasanin si kemi vizituar edhe vendet e tjera. Donim të përcillnim mesazhin në deklaratën e përbashkët të 25 marsit. Donim që të shihnim një fushatë të përqëndruar tek programi, dhe jo tek sulmet dhe intimidimet. Ua përsëritëm mesazhet të gjithë liderve që takuam. Dëgjuam këndvështrimet dhe qëndrimet e tyre. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe transpartente. Dëgjuam shqetësimet për blerjen e votës, po edhe për shitjen e votës.
Ambasadorja franceze: Çdo gjë që tha Soreca e përsëris edhe unë. Zgjedhjet e lira janë të rëndësishme.