Thirrja e Boçit: Sot në ora 11.00 pranë Liceut Artistik protestojmë për grabitjen e Kopshtit Botanik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat fton pedagogët, studentët dhe qytetarët të solidarizohen sot në ora 11.00 pranë Liceut Artistik, me betejën ligjore që po behet nga Universiteti kundër rrëmbimit, grabitjes dhe hajdutërisë së pushtetit. PD denoncon se qeveria po rrëmben me dhunë shtetërore Kopshtin Botanik, pronë e Universitetit të Tiranës, për ta shndërruar këtë nga një zonë të gjelbër dhe të rëndësishme për interesa akademike, në një shesh për kullat e betonit.
Deklarata e plotë e ish-deputetit Luçiano Boçi:
Edi Rama dhe Erion Veliaj po rrëmbejnë me dhunë shtetërore Kopshtin Botanik, pronë e Universitetit të Tiranës, për ta shndërruar këtë nga një zonë të gjelbër dhe të rëndësishme për interesa akademike, në një shesh për kullat e betonit.
Një vendim i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista.
Ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës, të cilët nuk lejojnë trasferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj.
Kjo vjedhje me VKM speciale, eleminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik.
Në vend që të rrisë financimin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Edi Rama, përkundrazi, i heq të drejtën e pronësisë.
Në vend që t’i ndihmojë për të ndërtuar laboratorë shkencorë për procesin mësimor, Rama i eleminon laboratorin më të madh natyror për të ndërtuar dhe për të pastruar paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në vend t’i japë frymëmarrje Universitetit, Rama godet autonominë dhe lirinë akademike të tij me harbutëri dhe padrejtësi.
Vendimi është marrë nga Rama – Veliaj në mënyrë arbitrare dhe arrogante, pa pyetur as Rektoratin e universitetit, as Senatin, as dekanatin, as asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor që janë ligjërisht pronarët e vërtetë dhe ligjorë të Kopshtit Botanik.
Asnjë konsultim paraprak nuk është bërë me ta, siç pretendohet në deklaratat e Bashkisë Tiranë.
Asnjë dakortësi nuk është dhënë për këtë grabitje.
Madje pedagogët e studentët e kanë kundërshtuar me forcë rrëmbimin e kësaj prone, duke përballur çdo presion apo joshje që u është bërë.
Ata kanë kërkuar pranë gjykatës administrative anullimin e kësaj VKM-je korruptive dhe kriminale në një seancë që zhvillohet sot në orën 11.00.
Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet të drejtën legjitime të përfaquesve të Universitetit dhe të asamblesë së personelit akademik dhe i bashkohet përpjekjeve të tyre për anullimin e VKM-së grabitëse 510.
Ne u bëjmë thirrje pedagogeve, studenteve dhe qytetarëve të solidarizohen sot në ora 11.00 pranë Liceut Artistik, me betejën ligjore që po behet nga Universiteti kundër rrëmbimit, grabitjes dhe hajdutërisë së kësaj prone publike.