Thirrja nga Ditmir Bushati: Krahas masave, të ndihmohen edhe bashkëatdhetarët

Përmes një postimi në facebook, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, përmes një postimi në facebook, thotë se krahas masave shtrënguese, qeveria duhet të kthejë sytë edhe tek bashkëatdhetarët. “E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre”.

Postimi i plotë

Të dashur bashkëatdhetarë,

Jemi të gjithë sot në një situatë të paprecedentë sepse e tillë është vetë natyra e kësaj Pandemie që s’njeh kufij dhe që ka detyruar e po detyron një e nga një shtetet t’i mbyllin ato. Masat e ndërmarra janë të domosdoshme megjithëse kanë shkaktuar vështirësi në funksionimin e rrjedhës normale të jetës. Jeta, shëndeti dhe siguria e çdo qytetari ka përparësi absolute.

Besoj se krahas masave shtrënguese të pashmangshme, duhet të gjejmë edhe mjete e mënyra për të ndihmuar çdo bashkëatdhetar, aty ku janë mundësitë. E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre.

Në kushtet kur kthimi në atdhe duket një mision i pamundur, është i nevojshëm informimi i tyre, qartësimi i procedurave dhe rrugëve që mundëson kthimin e tyre në atdhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare për situata të tilla. Po kështu, duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe Vendeve Anëtare të BE-së që askush prej shetatasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen.

Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të zgjas kjo situatë. Por, duhet të evidentojmë rastet e bashkëatdhetarëve të mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj situate dhe përmes bashkëpunimit ndërshtetëror të sigurojmë një kalim të sigurtë që mundëson kthimin e qytetarëve në atdhe. Me kurajë, ndërgjegjësim e solidaritet do ta kalojmë edhe këtë situatë!

SHKARKO APP