Thirrja nga ministri Balla: Pres nga Policia një plan efektiv masash dhe kontroll të imtësishëm në territor

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bën thirrje për një kontroll më të fortë në mbarë vendin për të vënë para përgjegjësisë personat që posedojnë armë zjarri, ata në kërkim, ata me tendenca kriminale në fushën e krimeve ndaj personit e pronës e trafikimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike. Balla shprehet se pret nga Policia e Shtetit një plan efektiv masash dhe kontroll të imtësishëm në territor, duke shfrytëzuar inteligjencën policore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese.

“Na duhet një kontroll edhe më i fortë në mbarë territorin e vendit, për të identifikuar dhe vënë para ligjit personat që posedojnë armë zjarri, personat në kërkim, personat me tendenca kriminale në fushën e krimeve ndaj personit e pronës dhe trafikimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe të rrisim vigjilencën në parandalimin e krimeve me bazë gjinore.

Pres nga Policia e Shtetit një plan efektiv masash dhe kontroll të imtësishëm në territor, duke shfrytëzuar inteligjencën policore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Ky Plan i ri masash do të ketë detyra konkrete për Forcën Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Policinë Rrugore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen dhe çuarjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

Rezultatet e arritura përgjatë vitit 2023 në drejtim të rendit dhe sigurisë, të luftës ndaj krimit në përgjithësi e krimit të organizuar në veçanti duhen përmirësuar akoma më tej”, shkruan ministri Balla në Facebook.

SHKARKO APP