Thirrja nga Rama për të rinjtë: Investoni në fshat, mos ikni në Europë. Sukses i sigurt agroturizmi

Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste u ndal në Pogradec. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij iu drejtua kryesisht të rinjve, duke iu bërë thirrje që të mos braktisin vendin, pasi koha kur mund të kursejë në Europë ka përfunduar. Kreu i qeverisë theksoi se të investosh në agroturizëm në çdo fshat të Shqipërisë, është sukses i sigurt.

“Sot të investosh në agroturizëm në Ersekë apo në Maliq, apo në Devoll apo në Pustec, është sukses i sigurt. Në vend se të mbash kazmën apo mistrinë, apo barrën e të punuarit për dikë tjetër në Greqi, Itali, Angli, ku të doni dhe pastaj, në fund të muajit të mos ngelet asnjë gjë. Të investosh kursimet në cilindo fshat, është e sigurt që në fund të muajit të lë diçka. 

Është një kullë në zonën e Bulqizës, nëse e shihni historinë e transformimit të saj, e të shihni sesi ata jetojnë me atë punë dhe nxjerrin fitim dhe kanë gjithnjë e më shumë njerëz që shkojnë tek ata, për të ilustruar këtë që unë po them. Do ta përsëris sa herë që mundem, koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm ka mbaruar, nuk është më.

Çfarë vlere ka të qëndrosh e të punosh për të tjerët atje dhe në fund nuk të ngelet asgjë. Synimin për të arritur në një majë të re në 2030, ne e kemi të mbështetur, një synim të mbështetur, jo më një ëndërr”, tha Rama.

SHKARKO APP