Thirrja që vjen nga Gjermania dhe Austria: BE të nis negociatat me Shqipërinë
Pushtimi i Ukrainës dhe rreziku nga ndikimi i huaj e ka zhvendosur Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes së shteteve europiane. Gjermania dhe Austria bëjnë thirrje për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe që të përshpejtohet procesi integrues për vendet e tjera të rajonit.
“Çdo shtyrje e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor të prekshëm dhe të hapur ndaj ndikimeve të palëve të treta. Ne duhet të çojmë përpara reformat institucione në BE për të qenë gati për zgjerim”, tha kancerlari i Gjermanisë Olaf Scholz.
“Ballkani Perëndimor është një rajon i rëndësishëm gjeo-strategjik i Austrisë. Kemi një histori dhe traditë të gjatë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne duhet të intensifikojmë atë që është thënë deri më tani: nuk duhet që thjeshtë të diskutojmë për perspektivën europianë, por veprim”, tha kancelari i Austrisë, Karl Nehammer.
Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në rrugëtimin drejt bllokut, por Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po qëndrojnë prej vitesh te dera e BE-së pa i’u dhënë mundësia për të hapur kapitujt e parë të integrimit.