”Thithte kokainë”/SPAK nis hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës
Pas akuzave se po pinte kokainë, SPAK regjistron hetimin për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Allën. Vendimi vjen pak orë pas publikimit të videos, ku Partia Demokratike thotë se zyrtari i lartë i pushtetit lokal konsumon kokainë. Kurse vetë Alla këtë akuzë e quajti montazh.
”Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast”. Nëse i referohemi Kodit Penal, në rast kryerje të një veprimi të tillë parashikohet dënimi me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
”Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”, citohet në nenin përkatës.