“Ti je komunist i thekur”, kur Berisha përjashtonte piktorin se i përplasi të vërtetën në fytyrë
Përjashtimet nga PD gjatë këtij çerek shekulli pas dhjetorit ‘90, kanë qenë të shumta, shpesh anektodike për nga rrethanat.
Por “përjashtimi i parë” ua kalon gjithë të tjerëve.
Ka ndodhur “live” që në orët e para të PD-së, në tribunën e “heronjve” të dhjetorit, ku shkëlqente Berisha.
Ish-truproja e tij Izet Haxhia e rrëfen episodin në intervistën e tij në Dita për ngjarjet e dhjetorit 90, pjesa e dytë e së cilës është botuar sot.
I përjashtuari i parë ishte një piktor dhe quhej Rexhep Aliaj.
“Ka qenë Rexhep Aliaj, një piktor dhe arsyeja e përjashtimit ishte se doli në tribunën e mitingut të parë të PD-së me 15 dhjetor pa qenë në protokoll. Berisha i kërkoi llogari dhe Rexhepi iu kthye se “kush je ti që po kërkon llogari. Ti je një komunist i thekur” dhe Berisha e përjashtoi nga PD-ja, edhe pse nuk ishte bërë akoma kryetar i saj. Rexhepi i futi një të sharë dhe u largua…” – tregon Haxhia.
Ai rrëfen se si Berisha instruktoi gjithë folësit e asaj dite që të zbusnin tonet dhe sidomos të hiqnin nga fjalimet e tyre termin “opozitë”.
Por…e përdori vetë atë.
“Të nesërmen e legalizimit më 15 dhjetor u mbajt mitingu i parë i PD-së së sapokrijuar. Përpara mitingut u caktua se kush do të dilte në tribunë dhe kush do mbante fjalime. U vendos që në fjalimet që do mbaheshin të mos goditej regjimi se mos na zemërohej partia mëmë. Aq të buta ishin fjalimet sa as fjala opozitë u tha që të mos përmendej. Berisha e hoqi nga fjalimi i Azemit këtë fjalë, por çfarë të dëgjojmë! Berisha në fjalën e tij përmendi disa herë fjalën opozitë. Azemi u nxeh shumë pas kësaj me Berishën. Kjo tregonte se Berisha do të ishte një hap përpara gjithmonë me të tjerët në PD. Ishte hera e parë që po ua fuste, por jo e fundit…”
Haxhia ironizon momentet e para të regjistrimit në PD dhe entuziazmin naiv të atyre që nuk e dinin ende se gjithçka ishte një inskenim i përgatitur në zyrat e Alisë dhe Sigurimit të Shtetit.
“Firmat për legalizimin e partisë i mblidhte Eduart Selami që dy ditë më parë thirrjes së ne studentëve për t’u bashkuar me ne i ishte përgjigjur me ironi që “nuk kam kohë se po skuq vezë”. Kur i thashë Selamit që të shkruante emrin tim, më tha ti je i përjashtuar nga shkolla e na prish biografinë e partisë. Iu ktheva me zemërim se biografinë nuk e prish unë por spiunët dhe komunistët e penduar të PPSH. U detyrua të më shkruante emrin.. Kështu unë u bëra një nga firmëtarët e treqindshes së parë të demokratëve apo si puna e dyqind petritëve që themeluan PKSH-në në nëntorin e 41-shit…”/Dita
KOHA JONË SONDAZH

