Tirana “betejë nervash” mes dy kampeve, PD: Ja kandidatët e Prrenjasit e Maliqit

Partia Demokratike zyrtarizoi sot tre kandidatë të tjerë për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, por ashtu siç po vepron kampi tjetër, Tirana mbetet ende pa një kandidat, përveç faktit se kryetari aktual Lulzim Basha nuk do të rikandidojë.

I pari që është njoftuar nga selia blu sot ka qenë Darien Xhindoli, i cili do të garojë për Bashkinë e Lushnjës.  Dy të tjerët, sipas një njoftimi për shtyp të selisë blu, janë: Bajazit Karriqi për Bashkinë e Përrenjasit dhe Xhevdet Belishti për Bashkinë e Maliqit.  Partia më e madhe opozitare në vend ka disa ditë që ka nisur publikimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale. Të dielën u njoftua se Dhurim Alinani do të kandidojë nën siglën e PD-së në Delvinë dhe Gëzim Çaushi në Roskovec. Në Peqin është zyrtarizuar kandidatura e Albert Kreçit, ndërsa në Divjakë ajo e Irakli Goresë. Në Pukë, Partia Demokratike do të përfshijë në garë Rrok Dodën. Burreli do të ketë kandidat, sipas selisë blu, Nezir Rizvanin, ndërsa në Klos do të jetë Basir Çupa. Ky proces publikimi i emrave të kandidatëve pritet të vazhdojë deri në përfundimin e tyre dhe nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore.

Tiranë, “betejë nervash” mes dy kampeve për kandidaturat

Por kandidatura e Tiranës mbetet vendimi më i vështirë për të dy kampet, teksa ka nisur mes tyre edhe një betejë “nervash”, duke publikuar emra nga më të ndryshëm, disa prej të cilëve sa për të bërë “zhurmë mediatike” . Gjithsesi, mësohet se dy liderët kryesorë të dy partive të mëdha e kanë marrë vendimin mbi kandidatët por nuk duan ta bëjnë atë publik, pa mësuar emrin e kundërshtarit. Më e komplikuar duket përzgjedhja tek e djathta, pasi Basha nuk ka lënë të kuptohet mbi emrin e asnjë favoriti, edhe pse qarkullojnë tre katër emra, megjithëse çdo ditë që kalon Jorida Tabaku besohet gjithnjë e më tepër se mund të jetë ndoshta kandidatja e parë femër për “fronin” e Tiranës. Grida Duma është tjetër opsion, sikurse ish-ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova. Nga e majta pritet që kandidatura të shpallet në mesjavë, siç bëri të ditur kryeministri Rama, dhe se ministri Erion Veliaj, deri tani është kandidatura kryesore, dhe besohet gjerësisht tek PS-ja se ai do të zyrtarizohet.

SHKARKO APP