Tirana “blindohet” për vizitën e Zelenskyt dhe samitin më 28-29 shkurt, policia shpall planin e masave
Drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi, në një konferencë për media ka zbuluar detaje nga plani i masave që do të ndërmerren për sigurimin e rendit të aktiviteteve që do të mbahen dy ditët në vijim, dy samite dhe vizita e presidentit ukrainas Volodymir Zelensky.
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën, ka hartuar një plan për sigurimin e rendit para dhe gjatë këtij samiti. Janë marrë masa për menaxhimin e trafikut, do të ketë bllokim të shkurtër”, -tha Jaupi.
Do të bllokohen këto akse:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente.
Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”;
-Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”;
– Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.
Shërbimet e Policisë do të jenë prezente në të gjitha akset rrugore hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës dhe në rrugët e tjera në brendësi të kryeqytetit, me qëllim marrjen e masave për të siguruar dhe rregulluar trafikun në rrugët alternative.