”Tirana Industrial Park”, Rama: Kompani shqiptare me paga dinjitoze dhe punësim për të rinjtë
”Tirana Industrial Park” është jetësimi i një projekti ambicioz, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili ndërthur konceptin e parkut logjistik me administrimin e biznesit, duke formuar një park industrial. Tirana Industrial Park është një realitet i bukur kompanish shqiptare me standarde të larta, paga dinjitoze dhe mundësi punësimi për të rinjtë. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Parkun e ri Industrial, ku sipërmarrjet kanë ambiente ekspozuese për produktet e tyre, si dhe ambiente magazinimi. Rama vuri theksin tek rëndësia e rritjes së pagave të punonjësve.
“Nëse do të mbijetosh sot në biznes, nuk ka cilësor e jo cilësor, po nuk i dhe pagën që të jetë pagë dinjitoze, kuptohet e arsyeshme në standardet e ekonomisë sonë, por dinjitoze, nuk do mbijetojë dot. Nuk ka mbijetuar asnjë. Paga është shumë e rëndësishme, ne e kemi shumë merak në këtë fazë sepse është bërë shumë kritike puna dhe ju e dini shumë mirë që po luftojnë të gjithë për krah pune”, theksoi Kryeministri. E rëndësishme për të është që të mbahet forca e punës.
Nga ana tjetër, kryeministri vuri theksin te kalimi i kësaj industrie te “Made in Albania”, në mënyrë që të sigurohen edhe paga dinjitoze. “Kush ulet tek makina qepëse nga vajzat e reja po t’i japësh 300 mijë lekë? Ata thonë: ne nuk bëjmë dot ndryshe, se falimenton. Jo, do bësh ndryshe patjetër; do ndërrosh lojën, siç po bëjnë disa që po kalojnë me cikël të mbyllur, po kalojnë me “Made in Albania”, siç bën kjo vajza këtu që i kishte pagat top dhe që ndërkohë prodhon makinën. Do ndërrosh lojën! Nuk mund të vazhdojë Shqipëria garën kush e ka punonjësin më skllav, kush e shfrytëzon më shumë e kush e ka më të ulët. Nuk është aftësi konkurruese krahu shumë i lirë i punës, ta merr gjermani e nuk ke më njeri. Punonjësit janë zemra që qarkullon gjithë gjakun në organizëm”, tha Rama.
Parku i jep përparësi aktivitetit tregtar duke ulur kostot dhe procedurat administrative, si dhe bashkon shitjen me shumicë dhe pakicë. Bizneset që operojnë në këtë park të ri industrial përfitojnë edhe nga lehtësitë fiskale të parashikuara në ligjin për parqet industriale.