Tirana merr çmimin ”Kryeqyteti i Inovacionit” në Romë, Veliaj: Krenar për arritjet tona
Bashkia e Tiranës vlerësohet me çmimin “Kryeqyteti i Inovacionit” për qeverisjen vendore në edicionin e 7-të të çmimeve kombëtare “Angi-OSCAR”, i zhvilluar këtë javë në Romë. Pas marrjes së çmimit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një vlerësim për përpjekjen e të gjithë skuadrës së Bashkisë së Tiranës, për të pasur një qytet solidar dhe me standarde të larta për fëmijët në çerdhe, kopshte e shkolla.
“Tirana u vlerësua me çmimin e inovacionit për qeverisjen vendore. është një kënaqësi e jashtëzakonshme sepse vlerësohet përpjekja e skuadrës së bashkisë sonë, por edhe e të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të prodhuar një qytet histori suksesi, për të prodhuar një qytet solidar, që e mban ritmin e rritjes demografike, duke u siguruar për të sjellë inovacion në shërbimet për fëmijët, çerdhe, kopshte dhe shkollat e reja që kemi ndërtuar. Jam vërtet krenar për të gjitha këto arritje”, deklaroi Veliaj.
Ai u shpreh se pas disa titujsh radhazi në vitet e shkuara, në Janar 2025 Tirana nis përgatitjet si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut, për të treguar edhe njëherë se është kartolina më e bukur e Shqipërisë moderne dhe europiane.
“Jam krenar për gjitha arritjet e Tiranës dhe mezi pres që – pasi kemi qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë, Kryeqyteti Europian i Sportit – të fillojmë përgatitjet për të qenë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut 2025, bashkë me Aleksandrinë në Egjipt. Jam i sigurt se Tirana do arrijë të organizojë super aktivitete, do ketë një zemër të madhe mikpritëse dhe do të tregojë se është kartolina më e bukur e Shqipërisë moderne dhe europiane. Mezi pres që me djemtë dhe vajzat shqiptarë, që kanë prodhuar sukses në Itali, të krijojnë këtë urë nëpërmjet inovacionit. Më vjen mirë që sot Tirana është shpallur Kryeqyteti i Inovacionit në grupin e kryeqyteteve që janë konsideruar për këtë çmim, dhe mezi pres që shumë nga idetë kreative që kemi nga djemtë dhe vajzat shqiptare të mund t’i transformojmë në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku.