Tirana ndez dritat e Hanukkah, kryeministri Rama: Hebrenjtë, të mirëpritur

Komuniteti hebre në Shqipëri ndezi dje në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza”, dritën e tetë dhe të fundit të Festivalit të Dritave, apo Festës Hebraike “Hanukkah”, siç njihet botërisht ajo. Këtë vit festa Hanukkah nisi në mbrëmjen e 25 dhjetorit 2024 dhe mbyllet sot në ditën e tetë, më 2 janar 2025.

Të pranishëm në ceremoninë simbolike ishin kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga djali i tij, Zaho, ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, hebrenj të ardhur nga SHBA, Izraeli dhe Europa, si dhe pjestarë të komunitetit hebre.

Rama teksa uroi për festën, theksoi se hebrenjtë janë të mirëpritur në Shqipëri. ”Një komunitet i vogël, por shumë kuptimplotë. Po shoh këtu disa fytyra miqsh. Iu uroj të gjithë të pranishmëve këtu dhe familjeve të tyre, kur në këtë moment ndezja e dritës së tetë të Hanukah lidhet me ditën e parë të Vitit të Ri. Ambasadorja Galit është një mike shumë e dashur dhe po e përfaqëson Izralin këtu në Shqipëri, jo vetëm me dinjitet, por gjithashtu dhe me shumë energji pozitive. Dua të përshëndes edhe të ardhurit e rinj hebrenj në këtë festë, se janë shumë të mirëpritur në Shqipëri. Zoti ju bekoftë të gjithë, Zoti bekoftë Shqipërinë, të gjithë hebrenjtë kudo ku ata janë”, tha Rama.

SHKARKO APP