Tiranë, autoritetet marrin në dorëzim Rtv Orën, një nga pronat e konfiskuara të Ylli Ndroqit
Radio Televizoni Ora u mor sot në dorëzim nga përfaqësuesit e disa agjencive shtetërore, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për konfiskimin e pasurive të sipërmarrësit Ylli Ndroqi.
Administratorët nisën një inventar të pajisjeve dhe iu kërkuan gazetarëve të vazhdojnë punën normalisht. Por gazetarët u shprehën mosbesues se mund të ushtronin të lirë profesionin e tyre nën kushtet e një konfiskimi shtetëror të stacionit, ku punojnë.
Tv Ora është një prej 26 pasurive të sipërmarrësit Ylli Ndroqi, i dyshuar nga drejtësia të jetë përfshirë në të kaluarën në trafik droge.
Përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerë të policisë gjyqësore si dhe administratorët shtetërorë nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara mbërritën në mëngjes në mjediset e televizionit Ora.
Ata shkuan për të zbatuar vendimin e djeshëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për konfiskimin e pasurive të sipërmarrësit Ylli Ndroqi, si i dyshuar nga drejtësia për trafikim droge vite më parë.
Midis 26 pronave të ndryshme të tij, që i kalojnë shtetit, është edhe televizioni Ora ku punojnë afro 200 gazetarë dhe teknikë prej shumë kohësh.
Drejtori i informacionit në Rtv Ora Brahim Shima, thotë se televizioni dhe gazetarët nuk janë prona materiale si gjithë të tjerat dhe mbetet i zhgënjyer se si po trajtohet çështja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në këtë rast.
“Media nuk mund konsiderohet si një shitore kafeje, por është një punë intelektuale e gazetarëve, të cilët janë në terren çdo ditë duke mbledhur informacion dhe duke i paraqitur në mënyrën më profesionale për shikuesit. Në këtë kuptim doja ta ndaja median nga zoti Ylli Ndroqi, sepse media është në presion dhe në ekspozim të përditshëm përballë goditjeve nga shumë anë”, thotë zoti Shima.
Avokatët e sipërmarrësit Ndroqi deklaruan se vendimi i gjykatës ishte i paligjshëm dhe prpapavijë, dhe synon mbylljen e një mediaje që nuk e pëlqen politika, se do ta vazhdojnë vijimin e betejës juridike deri në gjykatën e Strasburgut.
Vendimi erdhi pas një procesi të nisur që prej më shumë se dy vjetësh, nga vera e vitit 2020.
Policia gjyqësore dhe BKH morën në dorëzim median, dhe nisën inventarin e pajisjeve teknike. Administratori i shoqërisë, Farudin Arapi, theksoi disa herë se ndaj gazetarëve nuk do të ketë asnjë presion, se ata mund ta vazhdojnë punën e tyre normalisht, derisa për çështjen të shprehen gjykata të niveleve më të larta.
“Kjo nuk është përfundimtare. Është ende një vendim i pazbardhur i një gjykate të shkallës së parë. Nuk kemi marrë ende pjesën arsyetuese të gjykatës së shkallës së parë. Përfaqësuesit tuaj ligjor kanë kohën e mjaftueshme për apelimin. Edhe pasi të shprehet gjykata me një vendim të formës së prerë, puna nuk do të ndërpritet”, thotë zoti Arapi.
Por gazetarët u shprehën mosbesues për vazhdimin normal të punës në kushtet kur stacioni është konfiskuar nga shteti, administrohet nga shteti dhe liria e fjalës është e kufizuar dhe e dhunuar vetiu. Zoti Shima drejtues i redaksisë së lajmeve, thotë se prej më shumë se 2 vitesh televizioni dhe njerëzit e tij janë nën presione të jashtëzakonshme për të ndryshuar përmbajtjen e lajmeve të tyre për motive politike dhe se me aktin e sotëm dhunimi i shtypit arrin një kulm të ri.
“Kohët e fundit, nëse vini re, të gjitha mediat po kondiserohen se bëjnë shantazh dhe janë gjobëvënëse. Kjo është e përditshme në deklaratat e kryeministrit. Çdo media që raporton një lajm kritik, e konsiderojnë se po bën shantazh dhe gjobëvënie. Kjo duhet zbardhur dhe të marrë fund njëherë e mirë. Ato njerëz të medias që bëjnë shantazh për të përfituar diçka sigurisht që duhet të shkojë përballë gjyqit, që të përgjigjet përballë ligjit, sepse cënon punën e gjthë gazetarëve profesionistë, por cënon edhe vet median ku është”, thotë zoti Shima.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ylli Ndroqi rezulton të jetë arrestuar në Turqi, në vitin 1998, nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërsa “autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit “BAKLLAVA”, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë” dhe se ai madje ishte arrestuar në vitin 2015.
Në prill të këtij viti, biznesmeni shqiptar u përfshi dhe në listën e personave ndaj të cilëve Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione për shkak se “ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontroll për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”.
26 pasuri të zotit Ndroqi me vendimin e djeshëm të gjykatës i kalojnë menjëherë në pronësi shtetit. Bëhet fjalë për disa troje, një pylli, tre njësi të ndryshme tregtare në qendër të Tiranës, një njësi shërbimi dhe një garazh, 4 automjete luksoze dhe aksionet në të paktën 11 shoqëri ku ai zotëronte ose 100 përqind të tyre ose pjesën kontrolluese. Mes tyre 30 përqind të aksioneve në televizionin “Channel One” dhe shoqëria “Ora” që zotëron dy televizionet e tjera.