Tom Doshi fiton duelin me Ambasadoren amerikane Kim

Herion Mesi-

Kishte pak ditë që ambasadorja amerikane Kim deklaroi se nuk duhet që partitë të kandidojnë persona me precedentë penalë apo që SHBA i quan person non grata. Ajo iu drejtua partive dhe KQZ.

Deklarata e saj u prit pozitivisht nga publiku shqiptar, aqsa mediat kryesore e dhanë si lajm të parë dhe rrjetet sociale vlonin pro saj.

Ajo ngriti në parim çështjen, por përmendi personalisht edhe deputetin Tom Doshi. Ndërkohë dje deputeti Tom Doshi si kryetar i PSD (ish-partia e Skënder Gjinushit që tashmë e kaluan kryetar të Akademisë së Shkencave) regjistroi partinë në KQZ pa e vrarë mendjen se ç’thotë ambasadorja amerikane.

Kur lajmi doli në media se Doshi kërkoi regjistrimin në KQZ, e nga ana tjetër ambasadorja e sulmoi me emër, në rrjetet sociale filluan bastet se kush do fitojë; Toma apo Kim.

Të gjithë mendonin se Kim, por sot ambasadorja doli me një tërheqje diplomatike nga ajo që tha dhe kembënguli.

Ja se ç’shkroi ambasadorja këtë të enjte pasdite:

“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky emërim, (përjashtimi i Tom Doshit) i bërë nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë se kaq. Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë kam një kuptim të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri që ai formon”,- deklaron Yuri Kim.

Nisur nga çka ajo tha para disa ditësh dhe deklaratës së sotme, del se ambasadroja qenka bindur nga kryeministri Rama se deputeti Doshi nuk ka të bëjë me PS, etj etj.

Pra Edi Rama paska fuqi bindëse ndaj ambasadores, ose ambasadorja nuk ishte e informuar se Tom Doshi ka qenë dhe mbetet miku më i ngushtë i kryeministrit. Bile në PS tregojnë se deputeti Doshi e kap për hundesh kryeministrin sa herë të dojë dhe se para tij, shefi i qeverisë mezi merr frymë.

Kaq gjë ambasadorja duhet ta ketë ditur ose  duhet t’ia sqarojnë ata që ka miq në media!

E megjithatë insistimi i ambasadores amerikane vlen të vlerësohet.

Por Tom Doshi e fitoi betejën me ambasadoren dhe pas 25 prillit do jetë në parlament.

 

SHKARKO APP