Tom Doshi: Po përdoren dy standarde për hetimet
Tom Doshi akuzon prokurorinë se po përdor dy standarde në hetimin e cështjes e denoncuar prej tij. Ai thotë se Durim Bami, personi që hoqi dorë vullnetarisht nga krimi po mbahet në burg, ndërsa porositësi i krimit Fatjon Skënderi është i lirë, pasi ka marrë garanci për të mos u arrestuar vetëm që të dëshmojë kundër tij.
Doshi, në një postim në Facebook, thotë gjithashtu se Bami po mbahet qëllimisht nën mbikqyrjen e policisë dhe jo të Drejtorisë së Burgjeve.
Për këtë arsye deputeti i Shkodrës deklaron se për këto diferencime do të njoftojë institucionet përgjegjëse dhe ato ndërkombëtare.
"Të nderuar qytetare,
Ju falënderoj për mbështetjen dhe interesimin Tuaj të vazhdueshëm për çështjen që kam denoncuar ditë më pare.
Kam bërë publike mungesën e besimit ndaj institucionit të Prokurorisë, çështje për të cilën në mënyrë të arsyetuar i jam drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm.
Kam rezerva të arsyeshme në lidhje me hetimin, të cilat në respekt të insitucionit dhe të funksionit që mbaj si pjesë e legjislativit, i kam bërë e do i bëj prezent konform ligjit. Pavarësisht kësaj në respekt edhe të opinionit publik, jam i detyruar të jap vlerësime në lidhje me proçesin, për aq të vërteta sa dihen publikisht.
Deklarimet e mia kanë qenë publike dhe me emra dhe ngjarje specifike: konkretisht kam bërë publike skemën e ngjarjes së përgatitur kundër meje dhe emrat e përfshirë në të si porositës, ndërmjetës dhe ekzekutor.
Konstatoj se hetimet në kuadër të kësaj deklarate kanë qenë me dy standarte:
Nga njëra anë personi që ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi, Durim Bami, mbahet i arrestuar dhe nën terror psikologjik, madje qëllimisht gjoja për masa sigurie vazhdon akoma të qëndrojë nën mbikqyrje të Policisë së Shtetit e jo nën mbikqyrje të organeve të specializuara sikurse janë burgjet që monitorohen nga Prokuroria dhe standartet dhe ruajtja kryhet nga Policia e Burgeve (e papërfshirë në këtë proçes)
Nga ana tjetër, ndërmjetësi i krimit (Fatjon Skënderi) pasi thirret me ndërmjetësim të dyshimtë nga Gjermania, i jepen garanci se nuk do ketë asnjë masë shtrenguese ndaj tij dhe nuk ka në fakt.
Dallimi mes tyre është se:
Durim Bami – ka hequr dorë vullnetarisht nga krimi dhe më ka vënë në dijeni në lidhje me të – për pasojë është i arrestuar e nën presion e terror policor që të detyrohet të deformojë të vërtetën e pranuar më parë prej tij
Fatjon Skënderi – nuk ka hequr dorë vetë nga krimi por thjesht ju dekonspirua skema, ndërsa ndryshe nga i pari vijon bashkëpunimin me porositësin e vrasjes edhe për dështimin e proçesit hetimor – për pasojë është i privilegjuar duke mos u marrë asnjë masë shtrenguese ndaj tij që të vijojë të mos thotë të vërtetën
Në dukje hetimi nga prokuroria e kësaj çështje në të cilën autor është edhe numri 2 i shtetit, ngjan mision i pamundur por Ju garantoj se jam besimplotë që me prova te pakundeshtueshme dhe ndihmën e ndërkombëtarëve kjo do të bëhet e mundur shpjet.
Natyrisht per keto diferencime ne hetim do njoftoj te te gjitha institucionet pergjegjese por edhe perfaqesuesit ndekombetare te akredituar ne Republiken e Shqiperise.
Sinqerisht
Tom Doshi"