Tonin Marinaj: Sot mund të bëj për malësorët me shumë se kurrë”

 

Pardje kryeministri dhe kryetari i PS-së Edi Rama prezantoi Tonin Marinaj si kandidat për kryetar Bashkisë Malësisë së Madhe. Ishte dhe deputeti i zonës Paulin Stërkaj.

Tonin Marinaj njihet si njeri me karakter të fortë burrëror dhe mbajtës i premtimeve si dhe për miqësi të madhe në të dy krahët e politikës. Tonin Marinaj shikohet nga sondazhet e deritanishme si fitues i kësaj Bashkie .

 Ja se cfarë tha ndër të tjera kandidati i PS-së:”

Bindjet politike dhe natyra e problemeve jetësore me të cilat ballafaqohemi, na kanë bërë të ndahemi në grupe të ndryshme, në kërkim të një partie ku ndjehemi më mirë në aspektin politik, etik, e shoqëror.  Sot edhe unë jam pjesë e një strukture tjetër politike. Jo se nuk vlerësoj simpatizuesit e partive të tjera, por sepse tek Partia Socialiste dhe koalicioni i saj, kam gjetur mbështetje të plotë politike, sidomos nga kryeministri Edi Rama dhe deputeti Paulin Sterkaj.

Mbështetja e tyre po ndihmon përpjekjet e mia, për të qenë shërbyes i një politike me vetëdije të pastër, vizion të qartë e qëllim të denjë politik. Me këtë lloj mbështetje, sot mund të bëj për malësorët më shumë se kurrë.

Malësia e Madhe ka nevojë për një administrues kompetent dhe largpamës, për një drejtues që është malësor dhe njerëzor deri në fund. Ajo ka nevojë për një bashkiak të talentuar, mendje-hapur e zemërgjerë. Për një njeri të palodhur në shërbim të çdo malësori, pavarësisht historisë partiake apo bindjeve politike që mund të ketë.

Unë e shoh veten si të tillë. Partia ime më ka vlerësuar si të tillë. Besoj se edhe ju, vëllezër e motra malësorë, më njihni si të tillë, sepse jam lindur, rritur dhe shkolluar midis jush. Pikërisht këtu më kanë filluar edhe mësimet e mëdha për jetën personale dhe publike.  Si fëmijë, mbaj mend se shtëpia e prindërve të mi ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë malësorët. Nga kjo kam mësuar t’i dua dhe t’i respektoj të gjithë njerëzit pa përjashtim. 

Si ish-kryetar i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe kam mësuar se pa mbështetjen e nevojshme të Partisë që përfaqëson, mundësitë për të ndihmuar bazën janë tmerrësisht të kufizuara.  Si drejtor i Burimeve Njerëzore në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza,” kam mësuar se kompetenca profesionale, ndershmëria administruese dhe dhënia e mundësive të barabarta për punësim pa diskriminuar kundra askujt, janë disa nga pikat më të rëndësishme që përbëjnë epiqendrën e suksesit të një institucioni shtetëror.  

Ndërsa si biznesmen modest, kam mësuar se është më mirë të investosh për të ardhmen se sa të shesësh pa u menduar mirë. Kur shet, nuk ke më të drejtë ta pyesësh blerësin apo matrapazin për fatin e mëtejshëm të gjësë së shitur. Vetëm kur investon ke të drejtë të kërkosh llogari dhe të shijosh rezultatet e investimit të bërë. 

Ndaj sot kërkoj votën tuaj! Votën e të gjithë malësorëve, si një investim real për të ardhmen tonë të përbashkët. Kërkoj besimin tuaj si njeriu i duhur për ta ngritur Malësinë e Madhe tek potenciali i madh që ka.

Ma besoni këtë përgjegjësi të lartë!

Do bëj gjithçka të mundur në kapacitetin tim politik dhe njerëzor për ta bërë Malësinë e Madhe një ndër bashkitë më progresive të llojit të saj në aspektin ekonomik, social, kulturor, arsimor dhe sportiv.     

Jam i ndërgjegjshëm se jetojmë në një kohë të vështirë. Por me vizionin, strategjinë dhe mbështetjen e aleancës për Shqipërinë Evropiane vota juaj mund të kthehet në një fitore të vërtet.

Në një fitore jo vetëm elektorale, por mbi të gjitha në një fitore mbi barrierat që kanë kufizuar deri tani punësimin e malësorëve, zhvillimin e ekonomisë, frekuentimin e mrekullive tona turistike nga shqiptarët dhe të huajt, regjistrimin e fëmijëve tanë në universitetet më cilësore të vendit dhe të botës, financimin e aktiviteteve sociale e kulturore si dhe infrastrukturën sportive që thuajse nuk ekziston.   

Pikërisht për këtë, Malësorë të dashur, sot ju ofroj kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë së Malësisë së Madhe.

Kërkoj mbështetjen tuaj sepse besoj në veten time si administrues dhe në potencialin e lartë zhvillimor të Malësisë së Madhe si bashki. Besoj në strategjinë dhe mbështetjen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Besoj në një jetë më të mirë për të gjithë malësorët. 

Duke punuar së bashku, asgjë nuk është e pamundur për Malësinë e madhe”!

Ndërsa Kryeministri Rama tha se është i bindur në fitoren e zotit Tonin Marinaj dhe se fondet për Bashkinë e re do të jenë maksimale nga Qeveria qendrore.

 

SHKARKO APP