Topalli: Basha, dështaku më i madh politik në 30 vite. PD në një udhëkryq të madh
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kurrë nuk ka qenë dakort që Lulzim Basha të merrte drejtimin e PD-së, pasi sot ajo e quan si dështakun më të madh në politikë në këto 30 vite pas rënies së sistemit komunist. Ajo thotë se përjashtimi i Sali Berishës shënoi kulmin e paligjshmërisë së Bashës si drejtues i PD-së.
”Është gjëja më e turpshme që mund të ndodhë. Gjatë gjithë jetës së tij ka vepruar me vendime personale, në anësimin dhe mosnjohjen e forumeve të vendimmarrjes, mosnjohjen e statutit, vendosjen e vetes së tij mbi ligjin për çdo gjë që ka bërë që kur është ulur në karrigen e kryetarit të partisë.
Të përjashtosh ish-kreun e PD, themeluesin e PD, ish-presidentin, ish-kryeministrin, njeriun që ka bërë opozitën më të fortë gjatë kësaj periudhëe pa mbledhur forumet dhe pa pasur një vendimmarrje të tyre, thjesht nje deklaratë të personit të tij, është e shëmtuar, antiligjore, nul në gjithë gjënë e vet.
Sigurisht do të vinte një moment ku gota do të derdhej, do hapej një kapitull i ri për të larguar njeriun që ka marrë peng opozitën shqiptare. Njeriu që është dështaku më i madh i historisë politike të këtyre 30 viteve”,-tha për ”Ora News”.
Po ashtu Topalli pranon se PD-ja është në një udhëkryq të madh, por si çdo sfidë tjetër edhe kjo sfidë mund të kthehet në një oportunitet të madh për ta kthyer këtë parti në një alternativë për të larguar nga pushteti Edi Ramën.