Topalli po mbledh votat në diasporë: Emigrantët kanë fuqinë që të përmbysin situatën në zgjedhje
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli është drejtuesja e Partisë Demokratike për Diasporën e nis me një mea culpa në emër të demokratëve. ”Po të kishim qenë më të vëmendshëm në 3 dekada mund të kishim bërë më shumë për diasporën dhe është një rast për t’i kërkuar ndjesë që nuk kemi bëre më shumë me ta”, tha ajo për ”Top Channel”.
Ajo fajëson socialistët për një eksod të dytë të shqiptarëve. Jozefina Topalli është e bindur se votuesit nga jashtë mund të përmbysin realitetin politik në Shqipëri.
”Përdorimi i pamëshirshëm i administratës apo mos dhënia e databazës së shtetit opozitës sigurisht jo vetëm është e padrejtë por është dhe për t’u denoncuar. Diaspora mund mund të ketë fuqinë të përmbysë situatën”.
Socialistët kanë nisur punën për krijimin e një regjistri identifikues për emigrantet nëpër botë. Demokratët duket se janë një hap pas, dhe zonja Topalli nuk e fsheh një gjë të tillë. ”Disa degë po e bëjnë disa jo”, tha Topalli. Ajo prej kohesh ka nisur turin e takimeve të ngushta me emigrantet në Europë dhe Shtetet e Bashkuara duke ndjekur një fushate ndryshe nga ajo kundërshtari politik.