Topi: Lidershipi i PD, përgjegjës për gjendjen e së djathtës

Bashkëpunimi me të majtën që nisi në zgjedhjet lokale, sipas tij mund të shtrihet dhe në betejat e tjera elektorale, në mungesë të një ofertë nga Partia Demokratike.

Fryma e Re Demokratike nuk është rreshtuar në koalicionin e majtë vetëm për administrimin e pushtetit vendor. Ky bashkëpunim, sipas kryetarit Bamir Topi, mund të shtrihet dhe në betejat e tjera elektorale, në mungesë të një oferte nga Partia Demokratike.

Kreu i saj, Bamir Topi thotë për ‘Ora News’ se “në mungesën e një bashkëpunimi, të një oferte, sigurisht që njerëzit që bëjnë pjesë në një parti politike nuk mund të qëndrojnë jashtë kompeticioneve politike. Një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje është e destinuar që të atrofizohet”.

Topi është mjaft i ashpër me Partinë Demokratike, në të cilën për shumë vite ka mbajtur funksione të larta, duke e cilësuar në gjendje të mjerueshme.

“Fatkeqësia ka ardhur pikërisht tek ata njerëz që kanë pasur një background të majtë në arsyetim, madje ekstrem të majtë, komunist, që e kanë uzurpuar atë parti, e cila për fat të keq, jo vetëm që nuk është e djathtë, por të gjitha aspiratat e së djathtës i ka çuar jashtëzakonisht keq, në kuotat më të ulëta. Por ata që humbin dhe që do vazhdojnë të humbin janë ata që kanë aspiratat e tyre të parealizuara, e kam fjalën këtu për pronarët, për të përndjekurit politikë, për shumë njerëz që i takojnë një filozofie të së djathtës, të cilët e shohin veten jo vetëm të papërfaqësuar, por në kuotat më të ulëta të kompeticioneve politike të viteve të tranzicionit shqiptar”.

Nga kjo gjendje, të djathtën shqiptare sipas Bamir Topit, nuk e shpëton as lidershipi i ri. “Mendoni ju se ajo parti është e lirë? Në rast se në fillim unë kam justifikuar lidershipin e ri, tani nuk e justifikoj më sepse fillimisht, patjetër do detyrohesh edhe për shkak të taktikës politike, duhet të bësh lëvizje elegante, por kur ti edhe pas humbjes sillesh në sinkron me atë që është personi që të ka mbajtur peng në atë parti…”.

Por sa e ndihmon Partinë Demokratike, kur forca politike me filozofi të djathtë si FRD, rreshtohen në koalicion të majtë? “Historia është kjo. Në rast se figura ime, qoftë dhe figura të tjera në FRD tentohen të mbahen larg pikërisht për t’u shërbyer interesave meskine brenda një formacioni ‘të djathtë’ nuk është faji i Bamir Topit apo kolegëve të tij. Por është i atij që është futur si kalë troje tek e djathta dhe që e ka çuar në këto kuota”.

Bamir Topi tha se zgjedhjet e 21 qershorit i shërbyen konsolidimit të Frymës së Re Demokratike, duke ndërtuar një identitet të qartë politik.

SHKARKO APP