Topi mbështetje Veliajt në Baldushk: “Shans i madh për të shpalosur vizionin e tij edhe për zonat rurale”

 

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilluan një takim me banorë e simpatizantë të FRD në zonën e Baldushkut, ku edhe theksuan faktin se zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje të cilat e afrojnë më shumë qytetarin me pushtetin vendor. Topi i ka dhënë mbështetje kandidatit Veliaj në emër të FRD-së, duke nënvizuar se ky është një shans i madh për të shpalosur vizionin e tij edhe për zonat rurale.

“Këto janë zgjedhje administrative, të cilat e afrojnë gjithmonë e më shumë qytetarin te pushteti i tij sepse pushteti vendor është pushteti më afër qytetarit. Fryma e re Demokratike futet në këto zgjedhje në një aleancë të madhe. Kjo është Aleanca për Shqipërinë Europiane, e menduar shumë mirë për këtë vendimmarrje politike dhe jemi të sigurt, të bindur, se kjo aleancë do të dalë fituese në zgjedhjet e 21 qershorit”, u shpreh kryetari i FRD-së, Topi.

 

Ai tha se reforma territoriale ka qenë zgjidhja më inteligjente e politikës në vitet e fundit, duke qenë se Shqipëria ka pasur mjaft territore të copëzuara. “Duhet ta themi fare hapur, komuna të vogla që më shumë kanë punuar për interesat e stafeve drejtuese të këtyre komunave, të kryetarëve të cilët i kanë ndarë këto komuna nga interesat që kanë zona të caktuara. I kam thënë zotit Veliaj, se është një shans shumë i madh që ju nuk do të merreni vetëm me problemet e zonës urbane. Është vetëm fillimi i një pune me një dimension të ri. Është një shans i madh për të arritur vizionin, dimensionin e interesave. Gjë që do të përbëjë dhe një rritje të madhe të eksperiencës tuaj personale. Nuk mund të kuptohet metropoli pa zonën rurale”, deklaroi Topi.

 

Ndërkaq, kandidati Veliaj u shpreh se Bashkia e re e Tiranës do të funksionojë si ekip dhe do të duhet që të merret shumë fort me çështjet e bujqësisë, duke qenë se territori i saj është rritur gati 25 herë më shumë. “Unë jam i bindur se me koalicionin tonë me FRD-në ne do të fitojmë 24 me 0. Ndarja e re administrative rikoncepton të gjithë transportin publik. Një qytetar i Tiranës është dhe ai që jeton në Baldushk, edhe ai që jeton në qendër të bllokut, edhe ai në Kashar, edhe ai në Krrabë. Ndaj duhet të kemi një transport publik, që i përgjigjet qytetarëve, ku me të njëjtën biletë, sigurisht sipas distancës, dhe me të njëjtin standard, të kesh mundësi të lëvizësh brenda bashkisë tënde. Ndaj do të dyfishojmë nga 10 në 19 ose 20 linja autobusi për Tiranën e madhe, që të sigurohemi që asnjë të mos ndihet se është pjesë e periferisë dhe merr trajtim të veçantë”, deklaroi Veliaj.

 

Ai shtoi se duhet të jetë bashkia autoriteti i fundit që duhet të përgjigjet për vaditjen dhe kullimin, për agronominë dhe veterinarinë. “Propozimi ynë është që të kemi 3 ose 4 tregje për të gjitha pikat hyrëse të Tiranës. Kush hyn nga Kashari ta ketë në Kashar, kush hyn nga zona Vaqarr, Ndroq, Pezë, ta ketë hyrjen në Kombinat dhe kush vjen nga gjithë zona Baldushk, Bërzhitë, Farkë, Petrelë, Krrabë, të kenë pikën hyrëse të grumbullimit në hyrjen të Tiranës në Sauk ose në Lundër”, tha Veliaj.

 

Sipas tij, do të ketë një standardizim të të gjitha shërbimeve dhe kush shërben në Bashkinë e Tiranës do të shërbejë me të njëjtin standard nga qendra në periferi.

SHKARKO APP