Topi në Durrës: Dako, përfaqësues i një aleance të madhe

 

Kryetari i FRD-së Bamir Topi prezantoi në Durrës këshilltarët për bashkinë e re, në një takim që u organizua në sheshin e ri të qytetit, që tashmë është transformuar në një hapësirë ku mund të organizohen aktivitete nga më të ndryshmet. Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe kandidati i ASHE-së, Vangjush Dako.

Në fjalën e tij, Bamir Topi theksoi se në këshillin bashkiak do të bëjnë pjesë përfaqësues dinjitozë, ku një pjesë e madhe do të jenë femra, bile ajo që e kryeson listën e këshilltarëve është gjithashtu grua.

Ai sqaroi se në rastin e zgjedhjeve vendore nuk ka vend retorika boshe e disa politikanëve, të cilët kërkojnë të marrin nëpër këmbë interesat e qytetarëve duke anatemuar aleancën e së majtës me të djathtën. Këto janë zgjedhje vendore, ku në themel janë interesat dhe hallet e qytetarëve.

Topi theksoi se ”Dako është përfaqësues i një aleance të gjerë”.

“Në këto zgjedhje që janë administrative interesat e qytetarëve nuk mund t’i marrin nëpër këmbë ligjëratat dhe retorikat e ashpra të politikës për aleancën e së djathtës me të majtën. Në këto zgjedhje, ne dëshirojmë të jemi shumë më afër këtij bashkëpunimi për qytetarët. Kjo është arsyeja që jemi bashkë në një koalicion të gjerë, i cili do t’i japë mundësi që të ketë edhe kryetarin e bashkisë, por edhe mazhorancën e fortë me këshillin bashkiak që duke pasur edhe qeverinë prapa, Durrësi do të njohë zhvillime të reja”.

Nga ana e tij, kandidati i ASHE-së Vangjush Dako theksoi rëndësinë e madhe të këtij koalicioni për zhvillimin e Durrësit si dhe të FRD-së në këtë koalicion. Në këtë takim, Dako deklaroi se një vend të rëndësishëm në punën e bashkisë gjatë 4 viteve të ardhshme do të ketë ndihma ndaj shtresave në nevojë si dhe realizimi i projekteve të reja në të gjithë hapësirën ku shtrihet bashkia e re.

Dako tha se ”ju jeni qytetarë të Durrësit dhe dëshmitarë të transformimeve të mëdha që kemi realizuar në këto 8 vite por vecanërisht gjatë vitit të fundit. “Unë zotohem që këto transformime do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ardhshëm me arsyetimin e vetëm se ne e duam Durrësin. Durrësi është i të gjithë qytetarëve, të rinj e të vjetër. Durrësi është i të majtëve dhe të djathtëve. Durrësi është i joni dhe për këtë arsye do të bëjmë më të mirën për këtë qytet”.

“Padyshim që infrastruktura, turizmi dhe problemet që ka qyteti njihen nga ana jonë, prandaj ne do të vazhdojmë të punojmë në shërbim të qytetarëve. Qyteti po zmadhohet e po kështu edhe numri i qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë sociale po rritet. Janë nëna që kanë humbur bashkëshortët, janë invalidët, të moshuarit e vetmuar e të tjerë të cilët kanë nevojë për përkrahje nga ana e qeverisë dhe pushtetit vendor. Këtë do ta realizojmë së bashku me vendimet që do të marrë këshilli bashkiak”, shtoi ai.

SHKARKO APP