Topi në mbështetje të Elvis Rroshit, Obelisku i Demokracisë inaugurohet më 19 Qershor

 

Obelisku i demokracisë është vendosur sot në qendër të qytetit të Kavajës.

I paralajmëruar më herët nga kryebashkiaku Elvis Rroshi, monumenti vendoset në qytet pak ditë nga mbyllja e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Ndryshe nga monumenti i vjetër, ai i vendosur sot është me ngjyrat kombëtare kuq e zi.

Inagurimi i këtij monumentit do të bëhet njëkohësisht me inagurimin e sheshit tashmë të rikonstruktuar, nga kryebashkiaku Rroshi dhe kryeministri Edi Rama, më datë 19 qershor, ç’ka korrespondon me mbylljen e fushatës elektorale.

Obelisku është realizuar nga skulptori Ilirian Xhixha dhe sipas tij, simbolizon energjinë e të gjithë popullit që shpërthen pikërisht në zemër të Shqipërisë, në Kavajë.

Ndërkohë, Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi gjatë takimit elektoral në Kavajë ka dhënë mbështetjen e partisë së tij për kandidatin e koalicionit të majtë, Elvis Rroshi.

Topi është shprehur i impresionuar nga ndryshimet që kanë ndodhur në qytet duke përshëndetur punën e bërë nga kryebashkiaku Rroshi në këto 4 vite.

“Që prej herës së fundit që kam ardhur në Kavajë, më lejo Elvis të them se ndryshimet këtu janë të jashtëzakonshme. Ndoshta, një njeri që jeton në qytet ambientohet dhe nuk arrin të dallojë ndryshimin, por për një njeri që vjen rrallë e kupton menjëherë ndryshimin. Ju keni bërë me vepra atë që duhet të bëjë një administrator”, deklaroi Topi.

Edhe kryebashkiaku Rroshi ka vlerësuar mbështetjen e Bamir Topit, që në kohën kur ai ishte president, duke rikujtuar vizitën e tij në Kavajë në vitin 2012 dhe sulmet që pasuan ndaj tyre nga Partia Demokratike në atë kohë në qeveri.

“Kur ishte president i bëra një ftesë për të vizituar Kavajën dhe zoti Topi iu përgjigj pozitivisht duke nderuar qytetarët të Kavajës. SHQUP-i në Tiranë dhe SHQUP-i në Kavajë nisi menjhërë sulmet ndaj meje dhe presidentit. Por ne jemi së bashku në drejtimin e duhur për zhvillimin e qytetit tonë”, u shpreh Rroshi.

Rroshi dhe Topi janë zotuar se do të punojnë së bashku pas 21 qershorit në këshillin bashkiak për t’i dhënë Kavajës zhvillimin e merituar.

SHKARKO APP