Topi-Rama bëhen aleatë për zgjedhjet vendore, mbeten kundërshtarë në qeverisje
Pas ftesës publike që kryeministri Edi Rama i bëri pak kohë më parë partisë së Bamir Topit, Frymës së re Demokratike, është zyrtarizuar pasditen e sotme nënshkrimi i marrëveshjes mes dy krerëve të partive. Kjo marrëveshje nuk e pengon partinë e Bamir Topit që të vijojë pozicionin e saj si parti opozitare në rang qeverisjeje qendrore, por në zgjedhjet lokale do të jetë krah koalicionit të majtë. – “Kemi rënë dakord duke ndërtuar një shembull të ri dhe emancipues për politikën shqiptare, ku si në vende të tjera të zhvilluara që i kanë kapërcyer me kohë këto nivele konfliktualiteti të lartë politik, parti në opozitë në nivel kombëtar, bashkëpunojnë në nivele lokale. Kjo ka qenë qasja e FRD-së dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë qasje si kontribut të posaçëm që kjo parti jep përmes këtij koalicioni. Ne jemi të vetëdijshëm që FRD është forcë në opozitë me qeverinë, një opozitë e një natyre të veçantë, qytetare dhe shumë europianizuese, por jemi të kënaqur që në këto zgjedhje do të jemi së bashku për të përcjellë përmes këtij koalicioni këtë frymë qytetarie”, – deklaroi kryeministri Rama, pas marrëveshjes.
Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, e konsideroi bashkëpunimin si një vullnet politik dhe qytetar për të administruar qytetet. – “Është e rëndësishme që të rimerret nga publiku rikonfirmimi i pozicionit të FRD-së si një parti e qendrës së djathtë. Këto janë zgjedhje administrative. Jemi lodhur pafundësisht në këtë tranzicion të gjatë politik dhe keqadministrimi i qyteteve. Sot po hedhim një vullnet politik dhe qytetar për të vënë kandidatët më të mirë. Është më e rëndësishme që të jetë filozofia e administrimit të fatit të qyteteve, aq më shumë që janë reduktuar në 61, të kemi projekte dhe të iket nga demagogjia e të shkohet në burimin real të financimit të projekteve. Kam quajtur, sidomos garën për Tiranën, jashtëzakonisht të rëndësishme. Tiranën unë e quaj zemra e kombit dhe një zemër që vuan shumë dhe ka nevojë për ndërhyrje. Kjo kërkon profesionistë dhe njerëz me vizion. T’i lëmë ata që interpretojnë në mënyrë shumë arkaike këtë. Për ne ka rëndësi që ta shndërrojmë Tiranën”, u shpreh Topi, pas takimit dhe marrëveshjes me kryeministrin Edi Rama mbi zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Afrimi i Topit në këtë zgjedhje me koalicionin e majtë shihen me interes nga PS-ja për kandidaturën e Erion Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

