Trafik i rënduar në disa akse, mbi 200 gjoba për 3 orë (VIDEO)

Fundjava e nxehtë ka bërë që të gjithë ti drejtohen detit, edhe për shkak të lehtësimit të masave anti-covid. Por kjo ka shkaktuar trafik të rënduar në disa akse rrugore.

Policia Rrugore ka bërë të ditur se që pas orës 16:00 të së dielës është krijuar trafik në hyrje të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, por edhe në Rrugën e Kombit, si pasojë e kthimit të qytetarëve nga zonat bregdetare dhe turistike.

Për këtë arsye, policia ka bërë të ditur se ka shtuar shërbimin në disa akse për të parandaluar parakalimet e gabuara. Policia bën të ditur se brenda 3 orëve janë gjobitur 256 drejtues mjetesh, ndërsa janë pezulluar 31 leje drejtimi.

“Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, dhe 11 Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të po monitorojnë fluksin me dron e radarë dhe alkooltestues për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Prej orës 16:00 janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 256 drejtues mjetesh që kryenin parakalime të gabuara apo sjellje agresive në rrugë.

Nga monitorimi me radar e dragera, Policia Rrugore në të gjithë vendin gjatë orëve të mbasdites së sotme ka pezulluar 31 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës është vënë në pranga shtetasi B.B, 55 vjeç, pasi drejtonte nje mjet taxi 8+1 në gjendje të dehur në masën 0.94 mg/l”, njofton policia.

SHKARKO APP