Trafiku i kokainës, në raportin e Europol flitet edhe për bandat shqiptare

Tre karakteristikat kryesore të trafikut të kokainës në Europë, sipas raportit më të ri të publikuar nga Europoli janë: E dhunshme, me më shumë diversitet dhe më konkurruese. Bandat e drogës shpesh operojnë përgjatë vijave familjare, etnike ose gjuhësore, “duke përfshirë bandat marokene dhe shqiptare”, si dhe “grupin mafioz Ndrangheta të Italisë”.

Raporti nënvizon rëndësinë e hetimeve mbi pastrimin e parave, për të ndjekur përfitimet e paligjshme dhe për të konfiskuar asetet e lidhura me aktivitetin kriminal.

Europol nënvizon se bandat kriminale përdorin qytetet porte të Roterdamit, Hamburgut dhe veçanërisht Antverpin për të transportuar drogën në Holandë, nga ku shpërndahet pastaj në të gjithë Europën. Kjo ka bërë që Spanja të kapërcehet si rrugë kryesore e kontrabandës. Sipas saj, vetëm vitin e kaluar, në Antverp të Belgjikës u kapën rreth 65.6 tonë kokainë.

Në raport thuhet se tregu i kokainës në Europë u rrit kryesisht me furnizimet e shtuara nga Kolumbia, ku një marrëveshje e paqes me grupin gueril FARC, e arritur në vitin 2016, ka hapur tregun për konkurrencë.

SHKARKO APP