Tragjedia në Greqi, 5 marsi ditë zie kombëtare! Rama: Dhimbja për jetët e humbura është edhe e jona
”Tragjedia e Greqisë, është edhe tragjedia jonë”, me këto fjalë kryeministri Edi Rama bën me dije se qeveria ka shpallur që data 5 mars do të jetë ditë zie kombëtare në nderim të viktimave, që humbën jetën nga përplasja e dy trenave në Larisa.
Nga raportimi i fundit, deri në këto momente nga aksidenti më i rëndë hekurudhor në Greqi kanë humbur jetën 57 persona, 3 prej të cilëve dyshohet të jenë shqiptarë.
”Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.
Ditën e dielë Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtize”,-shkruan Rama.