Transformohet sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Tiranë, Veliaj: Do vijojmë me këndet dhe parqet deri në Kashar
Një tjetër shesh rekreativ për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit i shtohet qytetit të Tiranës. Dikur një baltovinë e zaptuar nga informalitete që krijonin një shëmti urbane, sot sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Njësinë 3 të kryeqytetit ofron një hapësirë prej rreth 1200 metër katrorë sipërfaqe të shfrytëzueshme për gjithë familjen, ku përfshihet sistemim rruge me trotuar, parkim, gjelbërim, ndriçim dhe argëtim me lodra për fëmijë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me deputeten Klotilda Ferhati panë kurorëzimin e këtij projekti që ka transformuar gjithë zonën, u shpreh mjaft i kënaqur për rezultatin ku një rol të rëndësishëm ka patur dhe vetë komuniteti. “Sot jemi te këndi i 77-të në Tiranë. Ka qenë parim që çdo muaj në Bashkinë e Tiranës të kemi një kënd të ri lodrash. Kur mendoj se si filloi kjo punë me këndin e lodrave te liqeni, me president e me çudira, me politikanë me patllake e pistoleta, me polici, sherr e shamata, – shumë zhurmë për asgjë, – kupton që kur ne punojmë bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ne e ndajmë mendjen që do pengojmë njëri-tjetrin, se është Astiri, se është teatri, se është këndi i lodrave, se është Pazari, se është Kalaja, se është sheshi, se është Bulevardi, ne vetëm prishim punë. Kjo do të thotë që ne e paskemi në dorë vetë. Po të bashkëpunojmë, fitojmë të gjithë. Po të mos bashkëpunojmë thjesht pengojmë njëri-tjetrin dhe harrojmë që te rruga, ose te parku që po pengojmë do luajnë të gjithë fëmijët dhe më vjen mirë që ky komunitet e ka kuptuar këtë, pavarësisht bindjeve, që, kur vjen puna tek fëmijët, i kemi të njëjta,” u shpreh Veliaj.

KOHA JONË SONDAZH

