”Treni bullgar” në Peqin? KQZ rrëzon PD: Asnjë fletë zyrtare nuk doli jashtë qendrës së votimit
KQZ ka rrëzuar pretendimet e PD-së për “trenin bullgar” të pretenduar për ngjarjen e Peqinit. PD tha se kishte kapur fletë votimi në një lokal dhe që përdoreshin nga PS për manipulim të procesit.
Në shkresën që KQZ i ka dërguar përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, mbi kërkesën për ekspertim të datës 23 maj, thuhet qartë se asnjë fletë votimi zyrtare e KQZ-së nuk ka dalë jashtë qendrës së votimit nr. 45 Peqin, (fshati Pekisht).
“Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je”, thotë Celibashi në shkresën drejtuar Franc Nurit të PD-së.
PD pretendoi më 22 maj nëpërmjet deputetit të sapozgjedhur të Elbasanit, Blendi Himçi, se kishin gjetur fletë votimi tek pronari i një lokali. Nga këqyrja rezultoi se këto fletë nuk kishin as vulën e KQZ-së dhe as firma. Por PD pretendoi që të bënte edhe një ekspertim privat, duke dërguar shkresa shtesë. KQZ dhe Policia kanë rrëzuar tashmë të dyja pretendimet e opozitës për “trenin bullgar” me procesin dhe fletët e votimit.
KOHA JONË SONDAZH

