Tritan Shehu denoncon: Kanabisi po lulëzon në Gjirokastër, haraçi që paguajnë për policët
“Kanabisi po “lulëzon” në Qarkun e Gjirokastrës, si shpërblim për ata me kontribute elektorale! Rilindja dhe segmentet e saj po e mbajnë premtimin elektoral për kanabizimin e vendit”.
Kështu deklaron deputeti i zgjedhur i PD në Gjirokastër, Tritan Shehu në një reagim të tij për mediat, i cili thekson se kjo po realizohet në bashkëpunim me policinë lokale.
“Kush të dëshirojë nga policët e ndershëm, pushtetarët e përgjegjshëm e të guximshëm nqs ka të tillë, partnerët ndërkombëtarë etj, mund të inspektojnë terrenin: Në malet e Fushbardhës, psh në Malin e Panjës. Në Kurvelesh, kullotat e maleve Gusmar, Nivic, Progonat. Në zonat e thella të ish-minierave në Memaliaj. Në zonat e Krahesit. Në zona të thella të Përmetit. Etj, etj, etj. Por kjo batërdi nuk mund të bëhet pa bashkëpunim të strukturave të Policisë në Qark, pushtetarëve të korruptuar etj me grupet kriminale, sepse nuk është e vështirë për t’u përcaktuar e reaguar ndaj këtyre veprave të paligjshme”, shprehet Shehu.
Deputeti demokrat gjithashtu thekson se po vihen në zbatim skema e disa viteve më parë.
“Ne fakt po përsëritet e njëjta skemë e viteve 2015-2017, e cila çoi vetëm: -Në pasurimin e grupeve kriminale, të drejtuesve të policisë së Qarkut nga haraçi prej 10-15 Euro, që fshatarët u paguanin për çdo bimë të mbjellë, “taksagrumbulluesve” në Tiranë, e të tjerëve të lidhur me ata. –Në shkatërrimin ekonomik të fshatarëve, që braktisën e sakrifikuan aktivitetin normal bujqësor e blegtoral të tyre. –Në skallavërimin e tyre si pasojë e terrorizimit, që akoma vazhdon t’u bëhet nga Pushteti për kanabisin e mbjellë. Kush nga ata që duhet të reagojnë ndaj kësaj gjendje nuk reagon, është ose i përfshirë ose frikacak”, thekson demokrati.