Tritan Shehu: Kriza e thellë po kthehet në grusht shteti. Rezistenca popullore, zgjidhja e vetme

Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu, në një intervistë për Gazeta shqiptare, u shpreh se “sot ne jemi qartësisht përpara një gjendje “Grushti shteti” dhe “si duhet reguar para një grushti shteti? Ka vetem një reagim, me kundervenie popullore të fortë e rezistente. Unë fatkeqesisht nuk shoh zgjidhje tjeter”, ka theksuar ai.

 

Pjesë nga intervista 

Z. Shehu pse kemi një krizë kaq të tejzgjatur, ndryshe nga kriza të tjera të tjera politike dhe pse nuk po merr fund?

Kriza e sotme është një krizë multidimensionale, duke marrë formën e një Grushti Shteti. Ajo e ka bazën në faktorë thelbësorë të deformimit të demokracisë e zhvillimit, ku pa dyshim kryesori është tjetërsimi, deformimi i procesit elektoral dhe i votës. Në vetvete ajo lidhet e vjen nga shumë elementë si kriminaliteti, droga, korupsioni, mungesa e parimeve etj. duke i stimuluar ata nga ana tjetër. Kjo të çon në deformime të mëdha të të gjithë sektorëve e aspekteve të jetës së vendit, nga ekonomia, tregu i lirë, drejtësia, jeta sociale e deri në politikat e jashtme, në preferencat për aleatët e partnerët, duke u larguar nga ata me vlera të vërteteta demokratike.

Po të lexojmë me vëmendje dokumentin e Bundestagut gjerman i gjejmë aty të gjitha këto shqetësime e këmbana alarmi për vendin tonë, pikërisht për të ndalur e dalë me tej nga kjo krizë e thellë që po kalon vendi. Gjithë problemi është se nëse nuk ndërpritet ky spiral, nëse nuk goditet ky spiral, nëse nuk shktërrohet ky spiral, për të filluar daljën me ndërtimin e institucionit të votës së lirë, kjo krizë do vijojë të thellohet, të ecë përpara, derisa të krijojë pa dyshim një katastrofë kombëtare në Shqipëri.

Që do të thotë?

Që do të thotë, ose një devijim të plotë të Shqipërisë nga rruga evropiane, demokratike drejt despotizmave lindore për kohë të gjata – ose një shpërthim revolte popullore, i cili mund të marrë trajta e dimensione nga më të ndryshmet, pikërisht për të nxjerrë jashtë institucioneve shkaktarët.

Çfarë e zgjidh konkretisht krizën?

Kriza në fund të fundit në thelbin e saj fillon të zgjidhet nga një element i vetëm, nga rivendosja e votës së lirë dhe e një procesi të ndershëm votimi i cili duhet të realizohet me zgjedhje politike të reja dhe zgjedhje administrative të vërteta, sepse zgjedhje të tilla nuk u realizuan. Kjo sigurisht kërkon disa premisa, që lidhen me kushtet e standardet për të realizuar një gjë të tillë. Pikërisht këtu çështja nuk është e thjeshtë, ajo është shumë më e komplikuar se sa një element ligjor vetëm, apo vetëm me reformën zgjedhore.

Çështja është me atë që të minimizohet afektimi i procesit zgjedhor të ri nga ata që janë të interesuar të deformojnë votën e shqiptarëve dhe në radhë të parë këtu bëhet fjalë për lidhjet me krimin, lidhjet me trafiqet dhe me ata elementë jashtë Shqipërisë, që synojne të mbajnë vendin në këtë gjendje të vështirë, jashtë familjes sonë europiane e larg perëndimit.

Pavarësisht kërkesës së PD dhe që është një ndër kushtet e Bundestagut, Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër, ndërkohë që PD, opozita e bashkuar ka ndërprerë protestat. Si do veprojë në këto kushte, në këtë situatë, si do veprojë opozita, do vijojë protestat, do t’i kthehet dialogut institucional?

Së pari nuk gjykoj që opozita i ka ndërprerë protestat. Protestat janë aktualisht në terren në forma të ndryshme por edhe protestat e mëdha popullore nuk janë jo vetëm jashtë axhendës së opozitës por nuk janë as jashtë axhendës së popullit shqiptar, qytetarëve shqiptarë në tërësi.

Protestat unë mendoj se janë pjesë konsistente e axhendës. Pa dyshim, ana taktike, kalendari i tyre është element që do komunikohet nga kryetari i partisë, në bazë të vendimit që do merret në forume edhe me aleatët por nuk them aspak se janë ndërprerë protestat.

Protesta janë pjesë e axhendës, pjesë e një force politike demokratike, veçanërisht kur kjo forcë demokratike si PD, europeiste dhe pjesë e grupit popullor evropian ka përballë një autokraci lindore, ka përballë një regjim të shurdhër e te kapur. Unë personalisht mendoj që ky regjim nuk është e nuk do jetë jetë asnjëherë koshient i ndryshimit që duhet të pësojë vendi për të dalë nga kjo situatë dhe për t’u kthyer në rrugën evropiane të tij. Në këto kushte bëhet i detyrueshem presioni popullor direkt, rezistenca aktive dhe e forte, qëndrueshmëria në forcë e kohë. Kjo është e domosdoshme në këto momente dhe do jetë e domosdoshme qoftë edhe në periudhat që vijnë për të çuar dhe realizuar me të gjithë forcën e vullnetit të njerëzve rivendosjen e demokracinë dhe për të hapur rrugën e standardeve demokratike, drejt votimit demokratik.

SHKARKO APP