Tritan Shehu: PD sot nuk ka kryetar, Basha-Rama po shkatërrojnë opozitën
I pezulluar nga PD-ja, deputeti Tritan Shehu, thotë se takimi i së hënës mbrëma i Kryesisë ishte më shumë një takim skuthash dhe dolën me vendime qesharake dhe staliniste. Për të vendimet e Bashës tashmë nuk kanë më rëndësi dhe fuqi, pasi ai është shkarkuar nga demokratët me 44 mijë vota. Po ashtu ai akuzon se ka një strategji për t’i lënë hapësirë Ramës, pasi Basha ka një bashkëpunim me të.
”Takimi i mbrëmshëm në PD ishte më shumë një takim skuthash dhe dolën me vendime qesharake dhe staliniste. Ato vendime dhe struktura nuk ekzistojnë, pasi momentalisht PD-ja nuk ka kryetar dhe kryesi. Ka një kuvend që vazhdon funksionet deri në mars dhe një komision rithemelimi. Këtu duket se kemi një strategji për t’i lënë hapësirë Ramës, pasi Basha ka një bashkëpunim me të.
Basha nuk është kryetar pasi është shkarkuar, ai është vetëm një deputet. Vendimet e tij nuk kanë një vlerë dhe janë qesharake. Këtu kemi të bëjë me një strategji për të shpërbërë PD-në dhe opozitën, duke i lënë hapësirë Ramës. Kundër Bashës kanë votuar 44 mijë demokratë për shkarkimin e tij.
Këtu shohim një tendencë që kërkon të shkatërrojë PD-në dhe opozitën, duke konfirmuar një autokraci të Ramës në vend. Kundër demokratëve është zmbrapsur një arsenal i tërë dhune. Kjo është një ndjenjë kundër demokratëve nga ata që ishin ngujuar në atë bunker. Partia jonë ka qenë e hapur edhe në vitin 1997, jo ta bunkerizojmë në mënyrë të turpshme”,-tha për ”Ora News”.