Tritan Shehu: Qeveria shqiptare s’bëri asgjë në kufi, situata u qetësua kur grekët shtuan kapacitetet mjekësore

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, shkruan në ‘Facebook’ se gjendja u qetësua në Kakavijë vetëm se pala greke shtoi kapacitetet mjekësore të testimeve aty.

Sipas tij, qeveria shqiptare nuk bëri asgjë për situatën në kufi, por vetëm fjalë.

Reagimi i Shehut:

Disfata e Ramës në kufi konfirmon domosdoshmërinë e testimeve. Nqs gjendja momentalisht po qetësohet në kufirin me Greqinë mbas një kalvari të gjatë, kjo ndodh vetëm se pala greke shtoi kapacitetet mjekësore të testimeve aty, duke realizuar gratis disa herë më shumë teste në dite se sa realizon shteti ynë në të gjithë vendin.

Ndërsa Qeveria jonë nuk bëri asgjë, asnjë test në kufi, vetëm fjalë.
Të njëjtin regjim testimesh gratis po vendos edhe Italia për qytetarët tanë të arritur aty, të tjerët po kështu.
Por ndërkaq Shqipëria vazhdon në pasivitet e amulli, e izoluar si “Delja e Zezë Covid” në Europë nga gjendja e rëndë epidemiologjike prej këqmenaxhimit të këtyre muajve ku mungesa e testimeve me bllokimin e laboratorëve përbën një nga arsyet kryesore, gjë që u lexua dhe në kufirin tonë duke konfirmuar dy elemente:

—Fatkeqësisht dështimin e plotë të çfarë Rama&Co kokëposhtë kanë realizuar këtë periudhë ndaj Covid duke filluar me testimet.

—Vërtetesinë e insistimeve tona për test, test, test kudo e me mobilizim total të kapaciteteve laboratorike, gjë e cila përsëri përbën bazën e kontrollit epidemiologjik, të mundësisë për të dalë nga izolimi mbi bazën e marëveshjeve me vendet përreth.

Në këto kushte Kryeministri të lërë spekullimet e “fishekzjarrët”, ai duhet të pranojë deshtimin e plotë në këta muaj me pasoja tragjike për vendin, të “përkthejë” drejt mesazhin e këtyre ditëve nga “kufiri”.

Në fakt ajo që me shqetëson më shumë është mosbesimi i thellë se ai e kjo Qeveri mund të implementojë atë që duhet, gjë që u qartësua dhe së fundmi.

SHKARKO APP