Tritan Shehu: Rama ka humbur besimin e shqiptarëve, nuk ka shëndetësi falas
Partia Demokratike ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Edi Rama për mosmbajtje të premtimeve, duke u ndalur këtë herë tek shëndetësia. Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Tritan Shehu e cilësoi daljen e kryeministrit me mjekët, ‘përpjekje të dëshpëruar për të argumentuar reformat e munguara në shëndetësi’.
“Dje, kryeministri Rama, në një përpjekje të dëshpëruar, u mundua të bindë mjekët se qeverisja e tij po kryen reforma në shëndetësi. Dëshirojmë të pyesim kryeministrin Rama, cilin nga premtimet elektorale e ka realizuar në këto 18 muaj kjo qeverisje? A ka shëndetësi “falas” ? As nuk ka dhe as nuk mund të ketë!”, deklaroi Shehu.
Ai tha se rrugët e financimit të shëndetësisë janë ato që kanë qenë, madje sipas Shehut me një shtim të pagesave direkte të popullsisë, veçanërisht për shtrimet.
“Niveli i financimit të sistemit shëndetësor është këtë vit nga më të ulëtat, 2.8% e GDP-së, kur premtimi ishte rreth dyfishi. Spitalet e rretheve, ndryshe nga premtimet, funksionojnë të cunguara për shkak të mungesave në specialistë e furnizime. Kjo i detyron ata që edhe urgjencat t’i evakuojnë.
QSUT prej muajsh është në mungesa të mëdha për gjithçka i nevojitet për të punuar. Për herë të parë aty kërkohet të kufizohen shtrimet, ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara etj”, ka thënë Shehu.
Shehu tha se kryeministri la pa rrogën e 13-të punonjësit shëndetësore dhe se ndryshe nga sa deklaron, po shkohet drejt centralizimit të spitaleve.
“Kryeministri foli për forcim të dinjitetit të punonjësve shëndetësorë.
Ndoshta për këtë arsye nuk ka realizuar asnjë rritje rroge për ata punonjës, edhe ajo e 13-ta këtë vit ju mohua?! Rama foli për konceptin e decentralizimit e “spitalit ndërmarrje”. Shumë e drejtë si strategji, por të gjitha hapat e deritanishme të qeverisjes së tij çojnë në drejtim të kundërt. Centralizimi veçse është absolutizuar”, tha Tritan Shehu.
Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD theksoi se “centralizimi është bërë ekstrem, jo vetëm në administrim, por dhe në emërimet e shefave të shërbimeve, specialistëve, infermiereve”. Shehu e ka quajtur proces centralist edhe “ritestimin” e punonjësve të shëndetësisë.
“Centralizmi ka kufizuar e vështirësuar dhe pacientët në të drejtën e tyre për të zgjedhur ata vetë shërbimin mjekësor. Rama përmendi dje dhe një tjetër proces centralist “ritestimi”, larg edukimit të vazhdueshëm ky, një rastsui generis, i keqpërdorshëm e diskriminues për specialistët e shëndetësisë”, nënvizoi Shehu.
Ai tha se ky proces nuk ka asnjë bazë ligjore dhe se “drejtimi komunist” i spitaleve nuk është zbutur.
“Një proces i artikuluar në atë mënyrë, jo vetëm nuk ka asnjë bazë ligjore, por rrezikon seriozisht të gjithë sistemin tonë shëndetësor si dhe atë të arsimimit mjekësor. Pra “drejtimi komunist” i spitaleve që ai përmendi, jo vetëm nuk është zbutur, por ka marrë tipare thellësisht të kuqe. Kryeministri, mbasi humbi besimin e shqiptarëve vazhdoi të spekulojë dje me mjekët së shëndetësia po bëhet “falas”. Kjo vazhdon të bllokojë çdo reformë frutdhënëse shëndetësore te ne!”, përfundoi deklaratën e tij Tritan Shehu.