Tritan Shehu: SHBA janë e mbeten mishërimi i demokracisë, vlerave e lirive universale, “mburoja” e parë për to në Rruzull!
Ish-ministri dhe ish-deputeti i PD, Tritan Shehu, ka uruar Joe Biden për certifikimin zyrtar që ka marrë sot si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara në Kongresin Amerikan.
Në një postim në Facebook, Shehu shkruan se “SHBA janë e mbeten mishërimi i demokracisë, vlerave e lirive universale, “mburoja” e parë për to në Rruzull!”
Në vijim mesazhi i plotë i Tritan Shehut
SHBA janë e mbeten mishërimi i demokracisë, vlerave e lirive universale, “mburoja” e parë për to në Rruzull!
Dhe këtë asgjë nuk mund ta cenojë.
Pa asnjë dyshim Presidenti Biden, Presidenti i 46 i ShBA tashmë i certifikuar edhe formalisht, do të jetë një garanci e sigurtë për këto principe madhore.
Ashtu siç ka qenë gjatë gjithë betejave të tij, ai do te jetë përsëri edhe pranë Rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor, pranë shqiptarëve, në përpjekjet për të drejtat, demokracinë dhe të ardhmen tonë Perëndimore, Euro-Atlantike, si pjesë integrale e BE.
Presidenti Biden në krye të ShBA përbën kështu një nga faktorët më të rëndësishëm për lidhjet tona jetike me atë vend e popull të madh, për mostjetërsimin e shpresës sonë europiane e perëndimore, për integrimin tonë në BE, si të vetmet opsione e mundësi që kanë e do të kenë shqiptarët sot dhe në histori.
Dhe ky “postulat” prej “rrugëtimit” në mijëra vite të shqiptarëve është i pandryshueshëm, “fytyra jonë është e kthyer nga Europa”, nga familja jonë natyrale dhe e vlerave.
Kushdo që do të tentojë të na fusë në aventura të rrezikeshme e degdisje larg saj, pa asnjë dyshim do të perballet me Ndëshkimin e Madh.
Urimet më të mira Presidentit Biden.
Zoti bekoftë Amerikën, miken, udherrefyesen dhe Mburojën tonë të Madhe!