Tritan Shehu: “Shengeni” Vuçiç-Rama bie ndesh me kushtet për integrim
Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu shprehet se projekti i Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç për “Shengenin Ballkanit” nuk mbështetet nga BE.
Shehu citon dokumentin e Francës për zgjerimin e BE-së, në të cilin nuk përmendet asnjë mbështetje për idetë rajonale.
Postimi i plotë i Tritan Shehut:
“Shengeni” Vuçiç-Rama, ndesh me kushtet për integrim. Propozimi i djeshëm i Francës për pranimin e Ballkanit Perendimor në BE ka një detyrim racional për vendet tona:
“Lidhjet më të ngushta me Bashkimin Evropian janë mënyra e vetme që këto vende të ndërtojnë ose konsolidojnë shtetet bazuar në shtetin e së drejtës dhe shoqëritë e hapura dhe pluraliste, të ndjekin zhvillimin e tyre ekonomik dhe shoqëror, t’i japin rinisë së tyre një perspektivë për të ardhmen dhe të promovojnë pajtimin midis popujve”- shkruhet aty.
Pra ky imponon si mënyrën e vetme të standarteve për integrimin “lidhjet më të ngushta me BE”, për të arritur tek shteti i të drejtës e deri te bashkëjetesa në Rajonin tonë.
Në nivel rajonal kjo do të thotë që partneritetet strategjike duhet t’i realizojmë me vendet e BE që kemi në Rajon apo fqinjë, fatmirësisht ne kemi Italinë e Greqinë që janë edhe në NATO, gjë që do të na afrojë me Europën.
Ndërsa me inisiativen e Vuçiç, Rama kërkon të na fusë në tjetër “Union” strategjik rajonale larg modeleve të Brukselit, me Serbinë që nuk e konsideron jetike anëtarësimin në BE e as marrëdhëniet me ShBA, që nuk e ka në axhendë hyrjen në NATO, përkundrazi është e lidhur me Eurasian e Rusinë.
Ne që aspirojmë tek Perendimi e BE pa dyshim duhet ta hedhim poshtë këtë “ofertë” si ndesh me interesat tona, që fatkeqësisht duke u artikuluar në “shqip” bëhet më e rrezikshme edhe për konfuzionin që krijon kështu.