Tritan Shehu: Shteti tashmë ka rënë, Qeveria ka rënë! Kryeministri duhet të dorëhiqet

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaron se Shteti tashmë ka rënë, po ashtu dhe Qeveria ka rënë, ndaj thotë ai Kryeministri Edi Rama duhet të dorëhiqet.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Shehu thekson se krimet, vetëgjyqësitë, mosrespektimi e zbatimi i rregullave më elementare në mbrojtje të jetëve, me pasoja tragjike si këto, kanë marrë dimensione të paimagjinueshme.

Nisur nga ngjarjet e fundit kriminale që tronditën vendin, Shehu thekson se kjo është tabloja e një vendi ku “Shteti ka rënë”, ku qytetarët nuk kanë më asnjë besim e respekt për shtetin, qeverinë e institucionet e saj, duke filluar nga Kryeministri vetë.

“Shteti tashmë ka rënë, Qeveria ka rënë! Kryeministri duhet të dorëhiqet!

Krimet, vetëgjyqësitë, mosrespektimi e zbatimi i rregullave më elementare në mbrojtje të jetëve, me pasoja tragjike si këto, etj., kanë marrë dimensione të paimagjinueshme.

Vdekje, plagosje, rrahje, dëmtime, djegie, tritol të pronës personale, prerje duarsh, etj., për të zgjidhur konfliktet nga vetë qytetarët.

Pagesa nën dorë, ryshfete kudo në zyra e deri në sistemin shëndetësor….

Drogë, kanabizim i Shqipërisë, 10-15 euro për “mbrojtjen” e çdo bime të tillë, e më tej nënshtrim ndaj atyre që u ke paguar, se provat ata i ruajnë!

Kjo është tabloja e një vendi ku “Shteti ka rënë”, ku qytetarët nuk kanë më asnjë besim e respekt për shtetin, qeverinë e institucionet e saj, duke filluar nga Kryeministri vetë.

Ku qytetarët si pasojë kërkojnë të zgjidhin vetë problemet e tyre, sipas mënyrës së secilit:

-Me forcë, ose me para!

Pra, kemi një tablo tipike Xhungle ku “fiton më i forti”!

Shumë larg kjo nga aspirata jonë europiane…

Pra, nuk është më dobësi e vetëm një institucioni të rëndësishëm, qoftë dhe e policisë.

Këto mund të jenë vetëm disa “organe” të prekura, por nga një sëmundje e rëndë, që ka goditur të gjithë “organizmin”, pra të gjithë Shtetin!

Dhe që për ta mjekuar këtë tashmë duhet “kirurgji e reanimacion”, ndryshe “vdekja” është e pa evitueshme.

Në këtë rast “kirurgu e reanimatori” i vetëm e i mundshëm është opinioni publik, janë masat e njerëzve, populli vetë… Në qoftë se dhe ai beson akoma te një Shqipëri e zhvilluar dhe europiane.

Në fakt “kirurgji” e madhe kjo, por e domosdoshme që duhet të fillojë me Kryeministrin!”, u shpreh deputeti i zgjedhur i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu.

SHKARKO APP