Tritan Shehu: Spitalet nuk funksionojnë mbi logjikën e “magazinave të patateve”
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu shprehet se spitalet nuk funksionojnë mbi logjikën e “magazinave të patateve”! Duke iu referuar situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit në vendin tonë, ish-kreu i shëndetësisë shqiptare përmes një reagimi në rrjetet sociale i bën apel qeverisë që të aktivizojë spitalet periferike, shërbimet e reanimacioneve në vend, duke shtuar dhe rreth 100 poste intensive brenda standardeve, dhe kjo të bëhet në mënyrë urgjente.
Reagimi i plotë:
Spitalet nuk funksionojnë mbi logjikën e “magazinave të patateve”!
Sot po dëgjoj belbëzimet e përcaktuara të Qeverisë nga salla e atij “Kuvendi”!
“Meqë spitalet Covid në Tiranë u mbushën plot do hapen ato të Durrësit e Shkodrës”.
Logjike kjo e një “magazinieri patatesh”: mbushim një magazine e pastaj hapim tjetrën!
Spitalet funksionojnë mbi një logjikë tjetër:
–Spitalet aktivizohen gradualisht për të krijuar eksperiencën, kapacitetet teknike e njerëzore, rritur numrin e të sëmurëve progresivisht e mos lejuar mbi ngarkesën e tyre!
–Qytetarët preferojnë e kanë të drejtë të kërkojnë shërbimin mjekësor sa më pranë vendit të tyre, e mundshme në shumicë kjo dhe jo largimin arbirtar të tij, gjë që ka çuar në faktin tragjik të “shtëpive spitale” pa asnjë rregull, kritere, me shpenzime gjigande nga njerëzit e humbje jete a dëmtime shëndeti.
–Tej mbushja e një spitali, veçanërisht në kushtet tona strukturale edhe kur kemi vetëm 3 infermierë në turn me 30 pacientë nga 6- 7 që duheshin, numrin e mjekëve të vogël etj, jep ulje të ndjeshme të cilësisë së shërbimit.
–Koncentrimi i 20-30 të sëmurëve në vetëm reanimacionet spitaleve Covid, pra shumë mbi kapacitetet e tyre teknike e njerëzore (kanë maximumi një infermiere në turn për dy të sëmurë, kur duhet të kishin 1,5-2 për çdo të sëmurë), çon në pasoja të rënda, në reanimacion kjo do të thonë humbje jete, pa folur për standartet e tyre strukturale.
Prandaj ka prej një viti që insistojmë:
Aktivizoni spitalet periferike, shërbimet e reanimacioneve në vend, duke shtuar dhe rreth 100 poste intensive brenda standarteve, urgjent!
Rama vajti në Vlorë, dikush tjetër në Elbasan e na tregoi disa pamje në 3 D klinikash Covid, ku janë ato, askund si çdo gjë që keni bërë në këtë përballje:
–Prandaj jemi vendi me raste të reja e humbje jete ditore më keq në Europë.
–Prandaj për “vdekjet shtesë” jeni në fund të Rruzullit.
Dhe ju sot kujtoheni të deklaroni aktivizimin e dy spitaleve Rajonale…cinike kjo!
Kujdes, se me parametrat që keni krijuar nga pa përgjegjshmëria e paaftësia juaj, më e keqja nuk ka ardhur akoma…
Kjo jo për të bërë Kasandrën, por për t’ju përmendur, sepse deri më 25 prill kur ju do të largoheni, ka akoma disa javë e koha nuk pret!