Tritan Shehu: Vaksina Covid e Ramës, një “lugë bosh” në 3D! Shqipëria, “delja e zezë” në Europë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar për shkak të koronavirusit.
Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Shehu pohoi se politika e Ramës për të për vaksinat anticovid po na rendit ne nivelin e Afrikës Qendrore duke u bërë sipas tij si “delja e zezë” në Europë.
Reagimi i plotë i Tritan Shehut në Facebook:
Vaksina Covid e Ramës, një “lugë bosh” në 3D!
Politika e Ramës edhe për atë vaksinë po na rendit në nivelin e Afrikës Qëndrore, ashtu si na ka transformuar deri tashti në “Delen e Zezë” Covid për Europën.
E vërteta e trumbetuar për “sigurimin” nëpërmjet COVAX të OBSH të asaj vaksine nga kjo Qeveri e papërgjegjeshme, do të thotë të na vendosë në “thesin” e vendeve të prapambetura, me të gjitha pasojat e kësaj në sasi e kohë.
COVAX është një organizëm i krijuar së fundmi nga OBSH, GAVI e CEPI për të krijuar një balancim në shpërndarjen e vaksinës mbas prodhimit të saj, kryesisht për botën jo të zhvilluar, për të cilën dhe BE ka dhënë një financim prej 400 M $, pra për jo më shumë se 20 milionë të vaksinuar.
Në rastin më të mirë ky organizëm do të mund të sigurojë për vendet që do të aplikojne një sasi vaksinash deri për 20 % të popullsisë së tyre e kjo në hapësirë kohore deri në fund të vitit 2021, pra shumë pak e në kohe të gjatë.
Kjo është e vërteta e propagandës qeveritare për vaksinën Covid kur duhej:
–Me urgjencë të kontraktohen prej Qeverisë dozat për mbi 2 milionë të vaksinuar, nga prodhuesit me probable ose të bashkërendohet qoftë dhe me pagesë me vende të zhvilluara si Italia, Gjermania etj. që brenda sasive dhjetëra milionëshe të kontraktuara nga ata, të vendoset edhe Shqipëria për vaksinimin e plotë, gratis e në kohe të popullsisë sonë.
–E njejta gjë këtë vit duhet aplikuar edhe për vaksinimin e popullsise ndaj gripit të zakonshëm.
Ndryshe me sistemin Rama tip 3D të sigurimit të vaksinës po vendosemi në një “radhë” të gjatë për të marrë në fund me pikatore atë që shqiptarëve do t’u duhet siguruar sa me shpejt e për të gjithë.