Presidenti amerikan Trump: E munda virusin

Nga VOA-

Më shumë se një javë pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, Presidenti i amerikan Donald Trump tha të dielën se ishte “në gjendje shumë të mirë” dhe tha se nuk po merrte më asnjë ilaç.

“Unë e munda këtë virus të çmendur dhe të tmerrshëm të Kinës”, tha zoti Trump në një intervistë telefonike në emisionin “Sunday Morning Futures” të kanal televiziv “Fox News Channel”.

“Duket se kam imunitet, mbase për një kohë e gjatë, ose një kohë e shkurtër, mbase përgjithmonë “.

Trump tha se ai kishte një “shtresë mbrojtëse” pasi u trajtua me disa ilaçe gjatë një qëndrimi katër-ditor në spital dhe pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Por ai nuk u pyet nga intervistuesja Maria Martiromo nëse ka marrë një rezultat neagtiv për virusin, i cili deri tani ka shkaktuar vdekjen e rreth 214,599 njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar më shumë se 7.7 milion amerikanë.

Pak kohë pas intervistës televizive, Trump tha në Twitter se  ai kishte marrë “një konfirmim përfundimtar dhe të plotë nga mjekët e Shtëpisë së Bardhë dje”, duke shtuar, “Kjo do të thotë që nuk mund ta marr (imun) dhe nuk mund ta transmetoj.”

Twitter e shoqëroi postimin me paralajmërimin se mund të përmbante informacion të pasaktë.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Sean Sonley tha të shtunën në mbrëmje se presidenti nuk paraqet më rrezik për ta transmetuar virusin tek të tjerët, sipas rezultateve të një testi për COVID-19 të shtunën në mëngjes.

Sipas standardeve të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), thuhet në deklaratën e Dr. Conley-t, presidenti mund të ndalë në mënyrë të sigurt izolimin nga të tjerët.

Dr. Conley tha se zoti Trump nuk ka pasur temperaturë për “mbi 24 orë” dhe pas testeve diagnostike, “nuk ka më prova të shumëzimit aktiv të virusit”.

Por ende nuk dihet kur presidenti Trump rezultoi për herë të fundit negativ para se të bëhej publike në orët e para të 2 tetorit se kishte rezultuar pozitiv.

Ky informacion, të cilin Shtëpia e Bardhë ka refuzuar ta zbulojë,  do të ishte i vlefshëm për të ditur se për sa kohë presidenti mund ta transmetonte virusin dhe në çfarë aktivitetesh kishte marrë pjesë gjatë asaj kohe.

Presidenti Trump tha se ai  “u ndje mirë shpejt” pasi u injektua me një kombinim eksperimental antitrupash që ende nuk është miratuar nga shkencëtarët e qeverisë për përdorim të përgjithshëm për pacientët me koronavirus.

“Tani keni një president i cili nuk ka pse të fshihet në bodrumin e tij,” tha Trump,  duke ironizuar fushatën e kufizuar të kundërshtarit Joe Biden në muajt e kaluar nga shtëpia e tij në Delaware, përpara se ish- nënpresidenti demokrat të fillonte fushatën në shtetet e rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve.

Trump zhvilloi një tubim politik në Shtëpinë e Bardhë me mbështetësit e tij të shtunën dhe po planifikon tubime në shkallë të gjerë duke filluar të hënën në shtetet vendimtare Florida, Pensilvania dhe Iowa.

Ndërsa rifillon fushatën, zoti Trump është në një pozitë të pasigurt politike,  duke rrezikuar të bëhet presidenti i tretë amerikan në katër dekadat e fundit që mund të humbë zgjedhjet për një mandat të dytë.

Sipas rezultateve të kombinuara të një game të gjerë sondazhesh kombëtare, epërsia e zotit Biden është rritur në 10 përqind ndaj zotit Trump, megjithëse ky avantazhi pothuajse përgjysmohet në shtetet që kanë gjasa të jenë vendimtare për zgjedhjet.

Një sondazh i ri i kryer nga Washington Post dhe ABC News arrin në përfundimin se zoti Biden kryeson në shkallë vendi mes votuesve të mundshëm me një diferencë 54% me 42%.

SHKARKO APP