Turi i takimeve nga Rama me diasporën, PD: Propagandë, ka penguar votën e emigrantëve
Turi i takimeve me diasporën që do të mbajë kryeministri Edi Rama në muajin Maj, për Partinë Demokratike zyrtare është një propagandaë, pasi për ta, qeveria ka penguar votën e emigrantëve. Sipas zëdhënëses, Mirela Karabina shqiptarët janë larguar nga keqqeverisja. ”Shqiptarët nuk joshen dhe nuk bien pre e propagandës së Edi Ramës! PD me propozimet e saj prej muajsh kërkon që të gjithë shqiptarët jashtë vendit kudo ndodhen, të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës përmes votimit elektronik në ambasada apo konsullata në vendet ku jetojnë e punojnë”,-tha Karabina në një deklaratë për mediat.
Deklarata e plotë
Edi Rama prej 11 vitesh ka penguar qëllimisht votimin e shqiptarëve të diasporës. Ai ka frikë nga vota e pakontrolluar e shqiptarëve nëpër botë, ashtu sikurse dhe ajo e shqiptarëve brenda vendit, ndaj pengon dhe Reformën Zgjedhore për lista të hapura.
Turi i takimeve të Edi Ramës me shqiptarët e diasporës është një shfaqe e radhës, një propagandë e përsëritur kjo e dalë boje dhe në kurriz të qytetarëve! Shqiptarët nuk janë larguar nga vendi si pasojë e luftërave apo fatkeqësive natyrore, por për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit galopant dhe mungesës së shpresës.
Lidhjen e diasporës me vendlindjen nuk e bën dot më Edi Rama sepse nuk ka as moralin dhe as fuqinë politike! Bashkëpunëtorët e tij më të afërt, zëvendëskryeministër në arrati, ish ministra e ministra dhe zyrtarë të lartë paraqiten çdo ditë në dyert e drejtësisë SPAK për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
Kështu që, cilën diasporë do të takojë Rama, atë që prej 33 vitesh kontribuon me të ardhura për të mbajtur familjet dhe prindërit e tyre në Shqipëri sepse kjo qeveri ia ka vështirësuar dhe pamundësuar jetesën normale? Cilën diasporë do të takojë Rama, atë që e ka dëbuar dhunshëm, rininë, së cilës nuk i siguroi as arsim cilësor e kushte normale, as punësim e pagë të mirë për një jetë dinjtoze si bashkëmoshatarët e tyre ne Rajon dhe Europë?
Shqiptarët nuk joshen dhe nuk bien pre e propagandës së Edi Ramës! Ata duan zgjidhje konkrete për zgjedhjet e ardhshme në zbatim të ushtrimit të drejtës së votës, sipas Kushtetutës. Partia Demokratike me propozimet e saj prej muajsh kërkon që të gjithë shqiptarët jashtë vendit kudo ndodhen, të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës përmes votimit elektronik në ambasada apo konsullata në vendet ku jetojnë e punojnë.
Edi Rama ka frikë nga vota e shqiptarëve, sidomos të diasporës, ndaj dështoi Komisionin e Reformës Zgjedhore për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votë të diasporës dhe votim elektronik. Shqiptarët në mbarë botën ku jetojnë e kanë dhënë votën kundër të tyre, pasi ata janë larguar nga vendlindja për shkak të Edi Ramës dhe qeverisjes së korruptuar të tij.