Turi me diasporën, Rama: Në shtator takim me shqiptarët në SHBA. Janë 32 mijë anëtarë të rinj në PS
Këtë pasdite, Partia Socialiste ka mbledhur online Asamblenë Kombëtare me fokus riorganizimi i brendshëm dhe energjizimi i partisë për zgjedhjet në 2025. Kryesocialisti Edi Rama tha se janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj. Rama tha se është shtyrë për në shtator takimi në Londër dhe Gjermani me emigrantët, ndërsa në shtator parashikohet të mbahet edhe një takim në SHBA.
”Ka pasur një zhvillim pozitiv me organizimin e PS në emigracion. Kemi zhvilluar dy takimet e para të turit, për të takuar shqiptarët e Europës dhe jo vetëm. Në Greqi dhe Itali, takimet nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetvete, as thjesht një takim pa vazhdim por ka qenë edhe një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës përtej mureve të sallës ku ka filluar një punë dmth për të rienergjizuar rrjetin e anëtarësisë dhe të simpatizantëve të PS.
Turi do të vazhdojë në shtator, duke qenë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem marrja e sallës që kishim prenotuar më parë.
Në një situatë zgjedhore është normale që të shmangnim një takim edhe pse nuk ka të bëjë me zgjedhjet është një takim politik. Në shtator do rimarrim turin edhe do zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe Britanisë dhe do të përgatisim një takim në SHBA”,-tha Rama.