Turizmi kurativ në Elbasan, Gjiknuri takim me bizneset: Zgjidhje të furnizimit me energji dhe të shfrytëzimit të ujërave termale
Shumë shpejt zona e Llixhave në Njësisë Administrative Tregan të Bashkisë Elbasan, do të marrë zgjidhje të problemit të furnizimit me energji elektrike dhe për shfrytëzimin e ujërave termale.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut bashkëbisedoi me bizneset e zonës ku u njoh nga afër me kërkesat e tyre, ku dy më kryesoret ishin përmirësimi i cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe shfrytëzimi i ujërave termale. Teksa i siguroi për zgjidhjen e këtyre dy kërkesave, Sekretari i Përgjithshëm i PS theksoi se llixhat e Elbasanit janë një potencial i rëndësishëm ekonomik jo vetëm për zonën, por për gjithë qytetin.
“Llixhat e Elbasanit janë një nga elementët e atraksionit turistik, por që njëkohësisht po kthehet në potencial të madh ekonomik për Elbasanin, sikurse është kjo zonë. Është krenari për qytetin, por mbi të gjitha është një mundësi e mirë ekonomike edhe në të ardhmen. Unë mendoj që me shtimin e kapaciteteve, por edhe përmirësimin e shërbimeve, por edhe pozicioni gjeografik që ka Elbasani, pasi vijnë njerëz nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, do ketë shtim të vizitorëve. Pra, krahas qëndrimit këtu ke edhe një qytet si Elbasani i cili është lehtësisht i vizitueshëm, ka aktivitete dhe shërbime shëndetësore që në fund të fundit u shërbejnë atyre që vijnë këtu”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se afërsia me Tiranën, por dhe investimet nga ana e qeverisë dhe e pushtetit vendor që do të bëhen, do të rrisin aftësitë e zonës për të konkurruar në fushën e turizmit.
Drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan u shpreh se kjo perspektivë e re për Elbasanin dhe zonën e llixhave veçanërisht, kërkon një bashkëpunim pushtet vendor-investitorë-qeveri. “Perspektiva e kësaj zone është goxha e mirë dhe do rritet në mënyrë eksponenciale. Pyetja që shtohet është: A i paraprijmë ne kësaj? A bëjmë ne marketimin e duhur? Nëse arrijmë këtë, këtu fluksi është i garantuar. Kjo padyshim kërkon një bashkëpunim, pushtet vendor-investitorë-qeveri”, theksoi Gjiknuri.
Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend. Pranvera dhe Vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë, por edhe turistë në vit.