Turizmi në Tregan, Gjiknuri dhe Llatja: Zhvillimet infrastrukturore të Elbasanit do rrisin ofertën turistike

Tregani është një nga zonat turistike më të zhvilluara në bashkinë e Elbasanit. Gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve të zonës, Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja siguruan se falë investimeve dhe projekteve që po bëhen në bashkëpunim me qeverinë, Tregani do të kthehet në një zonë me turizëm të zhvilluar gjatë gjithë vitit.

“Zhvillimet e mëdha të Elbasanit do ndikojnë në rritjen e ofertës dhe portofolit turistik. Vërtet ju jeni vend me ujëra termalë, vjen një kategori e caktuar pushuesish, por kur oferta e Elbasanit rritet, se për shembull Automotoparku nuk do zhvillojë vetëm gara me makina, aty do bëhen edhe koncerte, panaire sikurse është dhe eksperienca botërore. Kjo do të thotë që fluksi i njerëzve do kërkojë akomodim. Po kur vjen tjetri ka në portofolin e tij të ofertës disa variante qëndrimi, rritet dhe potenciali për biznes për ju. Fluksi sa vjen e do rritet”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës do të përkthehet në një përfitim të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale.

“Edhe përmirësimi i infrastrukturës, By Passi, zgjerimi i rrugës drejt Librazhdit dhe Qafë – Thanës rrit komunikimin dhe lëvizshmërinë mes këtij destinacioni. Ju një pjesë të tregut e keni të lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, kjo është e vërteta. Afërsia do sjellë më shumë njerëz. Vota në 14 maj është dhe garanci që të gjithë këto projekte të mëdha të shkojnë përpara por njëkohësisht të kthehen dhe në përfitim për ju” shtoi Gjiknuri.

Por për të vijuar këto investim të rëndësishme, drejtuesi politik i PS-së për qarkun theksoi se duhet një kryetar bashkie vizionar që nuk bllokon investimet për interesat e tij personale.

“Kjo garë nuk do parë e shkëputur qeveri – bashki. Gledi foli për disa investime që po kryhen këtu dhe për planet që ai ka në të ardhmen. Vetëm me taksat e qytetarëve të Elbasanit dhe me buxhetin e Elbasanit e ka të pamundur të adresojë nevojat e adresuara ndër vite të këtij qyteti apo të kësaj bashkie. Atëherë çfarë na mbetet e nevojshme, pikërisht binomi dhe lidhja e fortë qeveri – bashki. Kryetari i bashkisë të bëjë projekte dhe një pjesë e projekteve të mëdha që u përmendën këtu janë direkt financim dhe mbështetje e qeverisë shqiptare. Kjo i mundëson Gledit, kryetarit të bashkisë së Elbasanit që fondet që ka me qytetarët e Elbasanit t‘i përdorë për ndriçim, stola, lulishte. Vota në 14 maj është dhe vazhdimësi e projekteve të mëdha që sjellin direkt përfitime dhe për ju”, u shpreh Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS komentoi dhe alternativën përballë që paraqitet si përfaqësues i dyshes Berisha-Meta. “Shpesh herë ndodh që për shkak të ndasive politike ndërpritet komunikimi mes bashkisë dhe mazhorancës në pushtet. Fillon bashkia kthehet në një lloj feudi politik për interesa të atyre që drejtojnë në Tiranë. Kundërshtari këtu është një përfaqësues i Sali Berishës dhe Ilir Metës kjo është e vërteta. Ai mbase s’do ta pranojë kur ulet me ju, por realiteti ai është. Atë pasaportë politike ka, atë targë politike ka, ato politika do të ndjekë në Elbasan. Edi Rama ka marrë angazhime konkrete për Elbasanin. Mbështesni më 14 maj Gledin, Partinë Socialiste, këshilltarët tanë për një arsye shumë të thjeshtë: Mos e lini të jetë peng i interesave të vogla”, nënvizoi Gjiknuri.

Teksa përmendi disa nga investimet e këtyre 4 viteve që u vijnë në ndihmë banorëve dhe bizneseve të zonës, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja garantoi për vijimin e investimeve. “Ne kemi bërë punë të mira bashkë, kemi zhvilluar infrastrukturën, po vazhdojmë edhe këtë vit ta zhvillojmë. Kemi krijuar vizionin tonë për zhvillimin e Treganit dhe të Llixhës, të bëjmë rrugën ndërmjet dy Llixhave. Llixhave të hidrajeve dhe Llixhave poshtë të kemi një lëvizshmëri më të mirë. Nga rruga nacionale kryesore Elbasan – Cerrik deri sipër në Llixha hidraje ishte e gjitha copë, sot është e gjitha e restauruar dhe e rikonstruktuar. Do të vazhdojmë akoma me mirëmbajtje dhe me nvestimet” tha Llatja.

Kryetari i Bashkisë vuri në dukje se kthimi i Elbasanit në destinacion të rëndësishëm turistik do t’i kthejë hotelet në Tregan në punë gjatë gjithë vitit.

“Hotelet tona janë sezonal. Normalisht kapacitetet ju i keni të plota dhe hotelet rrinë të mbyllur, apo jo? Ne po zhvillojmë një nga projektet më të mëdha në Shqipërinë e Mesme. Në bashkëpunim me Damianin, Desantilën, qeverinë shqiptare, me kryeministrin Rama, po bëjmë projektin më të madh të Auto Moto Parkut në Elbasan. Ne presim të kemi një turizëm gjithëvjetor në Elbasan. Jo vetëm prej Auto Moto Parkut, por edhe prej Gjinarit, Funarit, Kalasë, por edhe prej ujërave termalë këtu. Ne po bëhemi gati për të pasur këtë katër vjecar një fuqi ekonomike të shtuar në Bashkinë e Elbasanit”,-vijoi Llatja.

Deputetja e PS Desantila Tahira vijoi më tej në fjalën e saj me përfshirjen e Treganit në programin zhvillimor “Elbasani 2030”, si një nga zonat që do të ketë fokusin e investimve.

“Jam e bindur që bashkë me Gledin për katër vitet që vijnë për Treganin do të bëhen punë edhe më të mira. Qeveria shqiptare dhe Gledi ju kanë mbështetur në ato nevoja që ju keni pasur”, tha ajo.

SHKARKO APP