Turqia shkon në zgjedhje

Turqia mban sot zgjedhjet parlamentare, në një klimë tensioni e frike se presidenti Rexhep Taip Erdogan mund të sigurojë shumicën absolute në parlament, e cila do t’i jepte mundësi ta forconte pushtetin e tij autoritar dhe të zgjeronte kompetencat si kryetar i shtetit. Sondazhet thonë se ai do ta humbë mazhorancën. Analiza e mëposhtme e autorëve Mark Pierini dhe Sinan Ülgen rreket të shpjegojë se çfarë mund të sjellë rezultati i votimeve të së dielës.

Nga Marc Pierini & Sinan Ülgen

“Carnegie Europe”

Cilët janë lojtarët kryesorë në këto zgjedhje parlamentare?

Kjo garë, do të përqendrohet tek ecuria e partisë pro-kurde të Popullit Demokratik (HDP). Për herë të parë, HDP po garon si një forcë politike, në vend të pjesëmarrjes së zakonshme me kandidatë të pavarur. Kjo parti, shpreson të kapërcejë pragun zgjedhor prej 10 përqind, i nevojshëm për të siguruar përfaqësimin në parlament.

Ndërkohë, partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP), e cila ka fituar çdo lloj zgjedhjesh presidenciale, parlamentare dhe lokale, pa ndonjë opozitë serioze, që pas ardhjes së parë në pushtet në vitin 2002, po synon që krijojë një presidencë me funksione ekzekutive.

Pasi shërbeu në 3 mandate si kryeministër, udhëheqësi karizmatik i AKP-së, Rexhep Taip Erdogan, u bë presidenti i parë i vendit i zgjedhur drejtpërdrejti nga qytetarët, duke fituar 51.8 përqind të votave popullore në gusht të vitit të kaluar.

Partia e majtë Republikane Popullore (CHP), është forca kryesore e opozitës aktuale, dhe së bashku me partinë e djathtë, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), pritet që të ruajnë përfaqësimin në Asamblesë e Madhe Kombëtare, me shpresë për t’u bërë partnerët e vegjël, në një koalicion të mundshëm me AKP.

Cila është veçantia e këtyre zgjedhjeve, në krahasim me të shkuarat?

Në lojë në këto zgjedhje, është e ardhmja e sistemit politik të Turqisë, dhe fati i procesit të paqes me kurdët. Objektivi kryesor i Erdoganit, është që AKP-ja të sigurojë tri të pestat e vendeve në parlament- ose 330 nga 550 deputetë. Ky është edhe numri i nevojshëm, për të organizuar një referendum popullor mbi ndryshimet kushtetuese, dhe futur në zbatim një sistem të fuqishëm presidencial, me funksione ekzekutive.

Narrativa e fushatës së Erdoganit, është e përqëndruar thuajse tërësisht në drejtim të vendosjes së këtij sistemi presidencial. Statura e tij, e bën de fakto këtë objektiv fokusin qëndror të zgjedhjeve aktuale. Por kjo nismë, ka shkaktuar kundërshtimin e të gjitha partive të tjera politike, si dhe ka

shkaktuar disa pakënaqësi në rradhët e vetë AKP-së.

Një rëndësi po aq të madhe, këto zgjedhjeve do të kenë edhe për sqarimin e marrëdhënieve të ardhshme midis presidencës dhe qeverisë. Nëse vendi miraton një sistem presidencial përmes një referendumi, presidenti i aktual do të fuqizohet shumë.

Në të kundërtën, nëse zgjedhjet i sjellin një shumicë të ngushtë AKP-së apo një qeveri koalicioni, qeveria do të forcohet, në dëm të presidentit. E ardhmja e bisedimeve për një zgjidhje të problemit kurd, është gjithashtu në rrezik, si rezultat i vendimit me rrezikshmëri të lartë të HDP-së, për të garuar si një forcë politike.

Në rast se kurdët dështojnë të kapin pragun zgjedhor 10 përqind, votat e hedhura për këtë parti, do të rishpërndahen proporcionalisht në çdo qark elektoral, mes grupeve të tjera të përfaqësuara në parlament. Kjo do të thotë përfitime të mëdha për AKP.

Mungesa e HDP-së në parlamentin turk, mund t’i sigurojë AKP-së një shumicë prej tre të pestat, të nevojshme për të ndërmarrë një referendum kushtetues. Në të njëjtën kohë, zhdukja e përfaqësimit kurd në parlament, mund të shkaktojë trazira civile në juglindje të Turqisë, ku kurdët janë kryesisht të përqëndruar.

Si ka arritur AKP të mbetet kaq popullore në Turqi për mbi një dekadë? A do të vazhdojë kjo prirje?

Arsyeja kryesore e suksesit afatgjatë të AKP-së, është vazhdimi i reformave ekonomike të paraqitura nga qeveria turke e para zgjedhjeve të vitit 2002. Ndërsa ekonomia turke po lulëzonte, AKP kreu investime të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime sociale, duke përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, jetën e një segmenti të madh të popullsisë së vendit.

Për këtë arsye, elektorati e ka shpërblyer AKP-në gjatë zgjedhjeve, por ekonomia aktualisht po vuan nga një ngadalësim, dhe ka filluar të shihet si një detyrim për qeverinë. Nuk është çudi që opozita kryesore, CHP, e ka fokusuar më tepër retorikën e saj zgjedhore mbi një platformë ekonomike.

Liritë demokratike, janë shndërruar gjithashtu në një çështje të fushatës. AKP-ja e ka humbur pozitën e saj fillestare, si një parti pro-reformave, veçanërisht që nga mesi i vitit 2013, kur  protestat në sheshin Gezi në Stamboll, zbritën në rrugë miliona turq, në shenjë zhgënjimi në rritje mbi mpakjen e lirive sociale dhe sundimin gjithnjë e më autoritar të Erdoganit.

Ka patur një valë akuzash për korrupsion ndaj AKP-së. Por deri tani, asnjë prej këtyre zhvillimeve, nuk e ka dëmtuar ndjeshëm bazën mbështetëse të kësaj force politike. Në të kundërt, HDP pro-kurde ka adaptuar një retorikë më gjithëpërfshirëse, duke aspiruar të përfitojë një mbështetje, përtej votës së saj tradicionale etnike, si dhe të përqafojë elektoratin më liberal të Turqisë. HDP cilësohet një kampione e barazisë gjinore, me një numër më të madh kandidatesh gra sesa të gjitha partitë e tjera, dhe kjo është gjithashtu një element për t’u vënë në dukje.

Cili është rezultati i pritshëm i zgjedhjeve?

Rezultati përfundimtar është shumë i ngushtë, aq i ngushtë, sa ndërrimet e minutës së fundit në preferencat elektorale, mund të shënojnë një ndryshim rrënjësor. Sondazhet e fundit të opinionit publik, sugjerojnë se AKP në qeveri ka mbështetjen e mesatarisht 43 përqind të elektoratit. Opozita kryesore CHP, përkrahet nga rreth 26 përqind e turqve, MHP nacionaliste merr 17 përqind, dhe HDP pro-kurde afërsisht 10 përqind të votave.

Zgjedhjet parlamentare në Turqi, do të shënojnë një moment të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Megjithatë, për herë të parë në më shumë se një dekadë, rezultati është plot me pasiguri. Analistët thonë, se afrimi i HDP rreth pragut 10 përqind të votave, do të prodhojnë skenare shumë të ndryshëm pas-zgjedhorë.

Sipas një skenari, HDP e kapërcen pengesën e 10 përqindëshit dhe siguron përfaqësimin në parlament. AKP nuk arrin të fitojë një shumicë të thjeshtë prej 276 vendesh, dhe për pasojë do të detyrohet të formojë një qeveri koalicioni.

Në një skenar të dytë, HDP merr më pak se 10 përqind të vitave. Atëherë AKP fiton shumicën e thjeshtë në parlament dhe do të jetë në gjendje të formojë e vetme qeverinë e re, por partia dështon të marrë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, për të zhvilluar një referendum për ndryshimin e kushtetutës.

Në një skenar të tretë, HDP sërish dështon të kalojë pragun, AKP arrin shumicën e cilësuar, duke fituar më shumë se 330 vende në parlament, dhe për këtë arsye është në gjendje të mbajë një referendum mbi amendimet në Kushtetutë.

Në një mundësi të katërt, HDP fiton 10 përqind të votave dhe hyn në parlament, ndërsa AKP-ja siguron një shumicë të thjeshtë. Nëse kjo ndodh, AKP mund të formojnë e vetme qeverinë, por sërish nuk do të jetë në gjendje të propozojë një referendum mbi kushtetutën.

Me çfarë pasojash afatgjata do të përballet Turqia pas zgjedhjeve?

Sesa me zigzage do të jetë rruga për Turqinë në muajt dhe vitet që vijnë, kjo do të varet pjesërisht nga përbërja e parlamentit të ri. Në rast se AKP nuk do të arrijë të fitojë një shumicë prej tre të pestash, Erdogan ende mund të zhvillojë referendumin, duke formuar një koalicion për shëmbull me HDP kurde.

Në përgjithësi, Turqia nuk ka patur një stabilitet afatgjatë nën qeveritë shumëpartiake, dhe shfaqja e një koalicioni mund të jetë shenjë paralajmëruese e shumë zgjedhjeve që do të vijnë. Nëse HDP-ja, dështon të kapërcejë pragun elektoral, lëvizja kurde pa asnjë përfaqësim në parlament, mund të veprojë për të zbatuar në mënyrë të njëanshme, axhendën e saj të shtetit të pavarur në Turqinë juglindore.

Rreziku i vërtetë, është se përkrahja popullore mund të zhvendoset nga HDP, tek elementët më radikalë të lëvizjes kurde. Një skenar i tillë, mund të shkaktojë një përplasje me qeverinë, në kuadër të sfondit të një destabiliteti rajonal në rritje.

Edhe në qoftë se AKP fiton një shumicë prej tre të pestat, dhe Ergodan mban referendumin për t’u shndëruar në një president me kompetenca ekzekutive, Turqia do të mbërthehej edhe për një vit apo më shumë nga një fushatë intensive politike, për të ndryshuar sistemin e saj të tanishëm politik. Kjo është në vetvete një çështje shumë përçarëse.

Si mund të ndikojnë zgjedhjet, tek marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë, sidomos me Perëndimin?

Një qeveri e një partie të vetme, që do të ishte AKP, do të vazhdojë përpjekjet për të rikalibruar politikën e jashtme turke. Pas një varg dështimesh të politikave post-Pranverës Arabe dhe izolimit rajonal në rritje, Ankaraja ka treguar një gatishmëri për të përmirësuar marrëdhëniet e saj, me disa prej aleatëve të saj kryesore rajonalë dhe perëndimore.

Në rajon, Turqia ka filluar të normalizojë raportet e saj me Arabinë Saudite, sikurse e dëshmon vizita e Erdogan në Arabi, dhe takimi me Mbretin Salman në muajin mars, si  dhe mbështetja politike e Ankarasë ndaj operacioneve ushtarake, që Arabia po udhëheq kundër rebelëve Huthi në Jemen.

Udhëheqja turke gjithashtu, u tërhoq në një masë të madhe nga kritikat e saj të ashpra ndaj qeverisë egjiptiane të presidentit Abdel Fattah El-Sisi, derikur një gjykatë në Kajro dënoi me vdekje presidentin e rrëzuar Mohamed Morsi muajin e shkuar.

Duke parë nga Perëndimi, Ankaraja përfundoi një marrëveshje të rëndësishme me Uashingtonin, për të trajnuar dhe të pajisur anëtarët e opozitës siriane, si dhe hapur një bazë ajrore turke për përdorim të dronëve të armatosur amerikanë. Kohët e fundit, qeveria turke ka konfirmuar gatishmërinë e saj për të filluar negociatat me BE-në për thellimin e integrimit ekonomik të vendit me Europën.

Por një përmirësim më i qëndrueshëm i marrëdhënieve të Turqisë, në veçanti me partnerët e saj perëndimorë, do të varet nga përmirësimet urgjentisht të nevojshme të praktikave demokratike në vend, si dhe sundimi i ligjit. Një qeveri koalicioni AKP-HDP, mund të përshpejtojë proceset e reformave demokratike, sidomos kur zgjidhja e problemit kurd, do të varet nga miratimi i një pakete për një shkallë të gjerë demokratizimi.

Ndërkohë, një koalicion AKP-MHP, mund të jenë më pak i favorshëm për një rezultat të tillë. Struktura në thelb më nacionaliste e një mozaiku të tillë, mund të jetë një pengesë për zgjidhjen e problemit të Qipros, së ndarë në mes grekëve dhe turqve qipriotë. Mbi këtë çështje, një dritare e e dukshme mundësish, duket se është krijuar nga zgjedhjet e prillit të këtij viti, ku Mustafa Akıncı u konfirmua si udhëheqës i turqve qipriotë.

Çfarëdo rezultati që të sjellin zgjedhjet e së djelës në Turqi, peisazhi politik i vendit është ndoshta duke u bërë më pak i parashikueshëm, sesa ka qenë gjatë 12 viteve të fundit, me pasoja të mëdha si në vend, ashtu edhe jashtë Turqisë. Zgjedhjet turke të 7 qeshorit, janë një ngjarje që nuk duhet humbur.

Shënim: Marc Pierini është një bashkëpunëtor i “Carnegie Europe”, ku zakonisht hulumtimet e tij fokusohen në zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Turqi nga një perspektivë evropiane. Edhe Sinan Ülgen është një bashkëpunëtor i këtij think-tanku, ndërsa studimet e tij janë të fokusuara në implikimet e politikës së jashtme turke për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, politikës bërthamore, sigurisë, si dhe aspektet ekonomike të marrëdhënieve transatlantike.

SHKARKO APP