Tushaj zhvilloi takime me banorë të Rrilës dhe Shënkollit‏

 

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj zhvilloi takime me banorë të fshatrave Rrilë dhe Shënkoll.

Në këto takime, z. Tushaj shoqërohej nga deputetët e qarkut të Lezhës, znj. Monika Kryemadhi, z. Gjovalin Kadeli dhe z. Arben Ndoka.

Tjetërsimi i pronave dhe problemet me tapitë e tokave janë probleme që shqetësojnë prej vitesh banorët e Shënkollit, e njohur ndryshe si zona e Bregut të Matës.

Gjatë takimit që “ASHE”-së zhvilloi në fshatin Rrilë, ishin pikërisht banorët ata të cilët e ngritën si shqetësim, ndërsa kërkuan ndihmë për gjetjen e një zgjidhje.

Në përgjigje të tyre, kandidati z. Viktor Tushaj dhe deputetja znj. Monika Kryemadhi garantuan banorët se shumë shpejt do të merren në shqyrtim të gjitha dosjet që janë aktualisht në komunën e Shënkollit.

Ata u premtuan banorëve se ky proces do të ndiqet në rrugë ligjore deri në zbardhjen e plotë dhe vënien e drejtësisë në vend.

“Unë tashmë e di dhe falë takimeve që kam patur se cilët janë shqetësimet edhe të Rrilës. Mungesa e infrastrukturës që është shumë e nevojshme. Ajo që bie në sy është mungesa e mbështetjes së duhur që duhet të ishte dhënë, sidomos bujqësisë me pastrimin e kanaleve të dyta dhe të treta  me qëllim që t’u garantohet uji banorëve e fermerëve që t’i punojnë tokat e tyre. Kryetari i bashkisë është një prej jush. Dhe si i tillë duhet që të marrë përsipër që të komunikojë çdo vendimmarrje të rëndësishme përpara se ta realizojë. Ju garantojmë se do të ngremë një komision që do të verifikojë ekzaktësisht çdo titull pronësie”, theksoi z. Tushaj.

Deputetja Monika Kryemadhi, teksa kërkoi mbështetjen e banorëve të fshatit Rrilë për alternativën më të mirë për drejtimin e Lezhës, i siguroi banorët se pas 21 qershorit, zhvillimi i Lezhës, Shënkollit, Rrilës dhe fshatrave të tjera do të jetë i madh.

“Zhvillimi i zonës së Lezhës do të jetë jashtëzakonisht i madh dhe aq më shumë  zhvillimi i Rrilës dhe i Shënkolit  për të vetmen arsye sepse ju e meritoni më shumë se çdo kush tjetër. Sepse keni votuar për 25 vjet rresht dhe ju kanë harruar. Ju kanë konsideruar se ju kanë në xhepin tuaj dhe bëjnë si të duan. Iku koha kur njerëzit merreshin si dele dhe viheshin në rresht për të votuar. Unë jam skandalizuar në Shënkoll se si njerëzit kanë nga 150 vjet që jetojnë aty , janë pronarë të tokës dhe nuk janë pronarë të oborrit të vet. Vetëm këtu ka ndodhur kjo. Prandaj në 21 qershor duhet ndryshuar që ato dosje që janë kapicë te Kadastra e komunës mos t’u bëhet më presion njerëzve që më jep votën që të përcjell dosjen për në prefekturë apo për në hipotekë, por të çlirohemi njëherë e përgjithmonë nga këta njerëz të cilët për të dhënë një certifikatë të gjendjes civile i mbajnë peng njerëzve dhe ju bëjnë presion”, tha znj. Kryemadhi.

Ndërkohë, mbështetjen e banorëve të fshatit Rrilë e kërkuan edhe deputetët z. Arben Ndoka dhe z. Gjovalin Kadeli.

 

 

SHKARKO APP